E Shtunë, 31 Tetor 2026

11 Shtatori, Topi e Berisha: Krenarë që rreshtohemi krah SHBA

TIRANE-Përkujtimi i viktimave nga sulmet e 11 Shtatorit ka qënë sot pjesë e mesazheve që krerët e vendit tonë i kanë dërguar sot Presidentit amerikan, Barak Obama.

Topi: Shqipëria përkrah SHBA-ve, kështjellës së paqes në Botë
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i dërgoi një mesazh solidariteti Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama me rastin e dhjetë vjetorit të sulmeve kriminale të terroristëve të Al Kaedës kundër kullave binjake ËTC në Nju Jork, në të cilin shkruhet:
“I nderuar President Obama,

Me rastin e përvjetorit të dhjetë të sulmeve kriminale të terroristëve të Al Kaedës kundër kullave ËTC në Nju Jork, ku humbën jetën tre mijë shtetas amerikanë të pafajshëm, ju shpreh Juve dhe gjithë popullit mik amerikan solidaritetin tim më të sinqertë duke u bashkuar me lutjet tuaja që shpirtrat e tyre të prehen të qetë në parajsë.

Është detyrë e gjithë popujve dhe qeverive të mbarë botës të bashkohen në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar si armik i paqes dhe i sigurisë globale.

Populli shqiptar ka qenë dhe do të mbetet edhe në të ardhmen përkrahë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kështjellës më të madhe të demokracisë dhe të paqes sot në botë.
Në çdo moment historik për kombin shqiptar ne kemi patur përkrahë mbështetjen e fuqishme të popullit dhe të qeverisë amerikane. Në këto momente të përkujtimit të mijra viktimave të pafajshme, ne i shprehim edhe një herë solidaritetin më të madh të gjithë familjarëve të viktimave dhe gjithë popullit amerikan. I paharruar qoftë kujtimi i tyre!”, perfundon mesazhi i Presidentit Topi.

Berisha: 11 Shtatori, Berisha: Bin Ladenët morën ndëshkimin e merituar
Me anë të një mesazhi të bërë publik për mediat kryeministri Sali Berisha ka përkujtuar 10-vjetorin e tragjedinisë së 11 Shtatorit. Duke shprehur nderimin e thellë ndaj viktimave e familjeve të tyre, Berisha tha se flamuri amerikan që terroristët donin ta përulnin, valëvitet më i lirë se kurrë, sot pas 10 vjetësh.

“Sot familjet e viktimave, kombi i madh amerikan, miqtë e tyre të lirisë në mbarë botën, përulen me nderim të thellë në kujtim të mijëra burrave dhe grave, djemëve dhe vajzave, fëmijëve e të moshuarve që humbën jetën 10 vjet më parë nga sulmi barbar terrorist në New York, Washington dhe në Pensilvani. Me këtë akt terrorist, me mizorin në historinë e kohërave, ideatorët dhe ekzekutorët e tij besonin se do të mund të përkulnin flamurin amerikan, flamurin e vendit më të lirë e më të fuqishëm të planetit. Sot pas 10 vitesh ky flamur valëvitet më lart se kurrë”, tha Berisha.

Në mesazhin e tij kryeministri Berisha u shpreh se terroristët me ideatorin e tyre Bin Laden morën ndëshkimin e merituar.
“Sot, pas 10 vjetësh, familjet e atyre që humbën jetën nga ky sulm, qytetarët e SHBA, miqtë e tyre në mbarë botën, kujtojnë këtë datë dhe nderojnë kujtimin e viktimave të 11 shtatorit pasi ideatorët, sponsorët, mbështetësit, organizatorët e tyre, Sudanët e Bin Ladenët dhe të tjerë të ngjashëm me ta, kanë marrë ndëshkimin më të merituar”, vijoi kryemnistri.

Kreu i qeverisë nuk nguroi ta rendisë Shqipërinë në krah të vendeve që i kanë shpallur luftë terrorizmit, në krah të aleates së tyre të madhe, sic tha ai, Amerikës.
“Shqipëria dhe shqiptarët, por dhe vendet e lira, u janë mirënjohës qeverisë së SHBA dhe kombit amerikan për udhëheqjen e vendosur të luftës kundër terrorizmit botëror dhe arritjet historike në këtë luftë. Shqipëria dhe shqiptarët ndihen krenarë se qendrojnë të rreshtuar me mikun e tyre të madh në mbështetje të kësaj lufte gjatë këtyre 18 viteve duke dhënë kontributin e tyre modest në rezultatet e saj. 11 Shtatori është një apel për të gjithë njerëzit e lirë për një qendrim të vendosur ndaj urrejtjes, intolerancës dhe fanatizmit të cdo lloji e të cdo ngjyre”, përfundoi Berisha.

(d.b/m.a/BalkanWeb) Lidhje te tjera 11 Shtatori, Basha mesazh Bloomber-it

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›