11 deputetë ngujohen në Kuvend
11 deputetë të Parlamentit shqiptar janë ngujuar në grevë urie në sallën kryesore të Kuvendit, duke shënuar një nga format më ekstreme të protestës të aplikuar për herë të parë në vend. Ajo çka nisi si një paralajmërim për të trembur dy forcat e mëdha politike, u përjetësua dje në orët e mbrëmjes kur kryetari i LSI-së, Ilir Meta, si dhe ai i PDK-së, Nard Ndoka, shpallën hyrjen në grevën e urisë pa afat të 11 deputetëve të këtyre dy partive. Dita e djeshme filloi me mjaft lëvizje tek selia e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Takime të panumërta të Ilir Metës me drejtues të partisë dhe të rinj të LRI-së, duke kërkuar mbështetje të plotë prej tyre gjatë kohës që do të jetë në grevë. Pavarësisht pëshpëritjeve dhe bisedave të tryezave në lokalin ngjitur me zyrat e selisë, vendimi i prerë u mor pak pas mesditës në sinkron me Partinë Demokristiane. Stop çdo plani, çdo udhëtimi, takimi, veprimtarie. Gati për grevë. Paraprakisht, 11 protagonistët e kësaj greve ishin të përgatitur edhe për një javë impenjime për tratativa e marrëveshje që të mund të shmangnin grevën. Por mbledhja e parafundit e Komisionit të Reformës Zgjedhore e lajmëruar në orët e para të paradites, përshpejtoi marrjen e vendimit për nisjen e grevës po këtë ditë. Megjithatë, pjesëmarrësit në grevë u impenjuan që lajmi të ishte surprizë për seancën e Kuvendit. Orët që mbetën, ishin për të shkuar në shtëpitë e tyre dhe për të marrë sendet e nevojshme, si batanije për t’u mbuluar dhe rroba për t’u ndërruar. Hyrja në sallë ishte krejtësisht normale, të gjithë deputet të veshur shik, me kostume të zakonshme për një politikan, pavarësisht se më vonë do t’u duhej të flinin mbi tryezat e kuvendit. Ishte kreu i LSI-së ai që shpalli nisjen e grevës i pari, në mungesë të Partisë Socialiste në sallë, e cila u largua në shenjë proteste pak minuta më parë për shkak të një debati mes deputetit demokrat Ndriçim Babasi dhe deputetes socialiste Arta Dade. Ndoshta nuk ishte një rastësi, por një largim i qëllimshëm, duke qenë në dijeni se shkaku kryesor përse çoi 11 deputetët të futen në grevë urie ishte pikërisht qëndrimi i Partisë Socialiste për kodin zgjedhor. Me mbarimin e seancës, deputetët që deklaruan futjen në grevë, nuk u larguan prej sallës, ndërsa hasën në indiferencë të plotë të deputetëve të mazhorancës. Asnjë fjalë apo koment prej tyre. Ndërsa jashtë, në mjediset rrethuese të oborrit të Kuvendit, shumë të rinj e anëtarë të thjeshtë të LRI-së shprehnin mbështetjen për aktin e 11 deputetëve. Dritan Prifti është i vetmi deputet që nuk është futur në grevë nga grupi parlamentar i LSI-së, pasi atij i është lënë detyra e koordinatorit me mediat, aktorët politikë etj.
Deputetët grevistë
1-Ilir Meta
2-Nard Ndoka
3-Petro Koçi
4-Pëllumb Xhufi
5-Ndre Legisi
6-Spartak Braho
7-Nikollaq Neranxi
8-Ndue Shpani
9-Ymer Tola
10-Jak Ndokaj
11-Frrok Gjini
Meta: E vetmja rrugë demokratike kundër revanshit Rama-Berisha
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, me shpalljen e grevës së urisë renditi arsyet që e çuan drejt këtij vendimi. Në deklaratën e tij, para pjesës tjetër të deputetëve, Meta akuzoi Ramën dhe Berishën si arkitektë të vjedhjes së votës, shtrembërimit të zgjedhjeve dhe si rezultat edhe cenimin e tyre. “Me përgjegjësi politike e kombëtare, jemi të detyruar të shpallim që nga ky moment grevën e urisë, si e vetmja rrugë demokratike e civile që na ka mbetur për t’i thënë “Ndal” revanshit të binomit Berisha-Rama dhe qëllimit të tyre antikombëtar e antidemokratik për shkatërrimin e zgjedhjeve të ardhshme, përmes frikësimit paraprak të votuesve shqiptarë dhe së fundmi përmes numërimit stalinist të votave”, - tha Meta. Sipas tij, ky është momenti që të gjithë shqiptarët të reflektojnë e të reagojnë në mbrojtje të votës së tyre të shenjtë e të paprekshme nga askush. “Dje korrupsioni shembi një pallat në Gjirokastër dhe u mori jetën qytetarëve të pafajshëm. Tetë muaj më parë korrupsioni hodhi në erë në Gërdec jetën e dhjetëra qytetarëve e përmes tyre nuk kurseu as fëmijët, duke vrarë ëndrrat e tyre ende pa nisur. Ndaj sot është momenti për t’i dhënë goditjen e parë këtij sistemi të korruptuar që në themelet e tij, duke i dhënë fund së pari korrupsionit elektoral”, - përfundoi Meta, duke garantuar të gjitha mediat se është i hapur për pasqyrimin e kësaj greve nga ana e tyre 24 orë në 24 orë.
Ndoka: Po synohet eliminimi i PDK-së
Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, deklaroi gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Shqipërisë se askush nuk do t’i ndalojë demokristianët të mbrojnë votën e lirë të qytetarëve. “Z. Berisha kërkon të përjashtojë demokristianët nga procesi i administrimit të votës së zgjedhësve të saj në të gjitha nivelet. Për ne demokristianët kjo është e papranueshme, e patolerusheme dhe e konsiderojmë një atentat që u bëhet zgjedhjeve të lira në Shqipëri, një atentat që i bëhet demokracisë në Shqipëri, një atentat që u bëhet të drejtave dhe lirive politike të qytetarëve”, - tha Ndoka. Ndoka tha se me këtë Kod Zgjedhor që z. Berisha po kërkon të miratojë në bashkëpunim me z. Rama, synohet jo vetëm eliminimi politik i Partisë Demokristiane, një opsion i vjetër i zotit Berisha ky, por të eliminohen edhe të gjithë politikanët e padëshiruar ose që për zotin Berisha janë sadopak të dyshimtë. “Me këtë Kod Zgjedhor që po përgatitet të miratohet në këtë sallë, nga ju, të nderuar deputetë, ne do të kemi pas zgjedhjeve të vitit 2009 një Parlament të emëruar, institucione të emëruara, President të emëruar, pra gjithçka në këtë vend do të varet nga vullneti i dyshes Berisha-Rama dhe jo nga vullneti i zgjedhësve shqiptarë”, - deklaroi Ndoka.
Koçi i bashkohet grevës
Kryetari i PS’91, Petro Koçi, një ndër deputetët grevistë, iu bashkua deklaratave të Metës dhe Ndokës. Ai konsideroi se Rama dhe Berisha janë fajtorë për përgatitjen e një skeme të re të deformimit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Ai vlerësoi boshtin Rama-Berisha si boshtin e së keqes, ndaj duhet të marrin fund manovrat e tyre të ndërtuara mbi korrupsionin e ndërtuar së bashku. Kreu i PS’91 është pjesë e koalicionit të drejtuar nga Ilir Meta dhe e ka mbështetur që nga fillimi nismën e LSI-së për një grevë urie. Ai i është bashkuar konventës së jashtëzakonshme të LSI-së dhe protestës së saj para selisë së OSBE-së etj.