E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi me ambasadorin Iranian: Shqipëria do mbështesë rezolutat e OKB-së

Shqipëria do të luftojë kundër çdo tentative që rrezikon paqen. Këtë i deklaroi dje Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ambasadorit të Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri, Alibeman Eghbali Zarach, vendi i të cilit shihet sot si një nga vendet potencialisht të rrezikshme për paqen në botë për shkak të programit bërthamor. Gjatë takimit, të realizuar me kërkesën e ambasadorit iranian, Presidenti Topi nënvizoi se “Shqipëria, si vend anëtar i OKB-së, do të mbështesë me shumë vendosmëri rezolutat, të cilat synojnë vendosjen e drejtësisë, të paqes dhe të barazisë në globin tonë". "Shqipëria ka vuajtur për një kohë të gjatë nga mungesa e drejtësisë, barazisë, lirisë, respektit të të drejtave të njeriut, ka përjetuar diktaturën më të egër dhe izolimin më të gjatë ndërkombëtar, prandaj është e vendosur të luftojë për demokracinë globale dhe kundër çdo tentative që rrezikon paqen", - u shpreh Presidenti Topi, duke siguruar se ajo do të udhëhiqet nga këto parime edhe gjatë pjesëmarrjes së saj në bordin e Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për periudhën shtator 2007-shtator 2009. Presidenti i Republikës theksoi se “Shqipëria, si një vend anëtar i ardhshëm i NATO-s dhe nënshkrues i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, ka qenë dhe do të jetë në një linjë me qëndrimet e aleatëve të saj euroatlantikë për raportet dypalëshe, rajonale dhe globale”. Gjatë takimit, Presidenti pohoi se marrëdhëniet dypalëshe do të ndjekin dhe do t’u përshtaten fushave dhe interesave reciproke të dy vendeve tona. "Ato duhet t’u shërbejnë zhvillimeve të brendshme, për të cilat vendet tona kanë nevojë dhe sfidave rajonale e globale, me dëshirën e sinqertë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe një botë në paqe dhe në harmoni", - tha kreu i shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›