11 irakianë dënohen me vdekje
Një gjykatë ka dënuar sot me vdekje 11 irakianë, për shkak të planifikimit dhe ndërmarrjes së sulmit masiv në bombë në Bagdad, në gusht të vitit të kaluar, si pasojë e të cilit u vranë 95 persona dhe janë plagosur mbi 1 mijë të tjerë.
Në shënjestër të këtyre sulmeve u vunë Ministria e Jashtme dhe ajo e Financave, ministritë këto ndër më të mbrojturat në Irak. Sulmet dëmtuan edhe besimin në forcat irakiane të sigurisë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat do të zhvillohen në mars.
“Gjykata kriminale në Irak i ka shprehur dënimin me vdekje 11 kriminelëve, të cilët janë dënuar për zbatimin, planifikimin dhe financimin e sulmeve me bomba, të cilat vunë në shënjestër Ministrinë e Jashtme dhe Atë të Financave”, tha zëdhënësi i Këshillit Suprem Juridik të Irakut, Abdul Al Birqdar.
Të dënuarit kanë drejtë që të paraqesin ankesë ndaj vendimit të gjykatës, tha Birqdar.
Këto sulme të përgjakshme ndodhën vetëm një muaj e gjysmë pas tërheqjes së forcave amerikane nga qendrat urbane në Irak.
Marrë në përgjithësi, niveli i dhunës në Irak ka rënë dukshëm, pas konfliktit ndërfetar i cili shpërtheu pas invadimit amerikan në Irak në vitin 2003, si pasojë e të cilit u vranë me mijëra njerëz.