E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amnesty kritikon Çekinë

Republika e Çekisë po vazhdon të injorojë vendimin e Gjykatës së Europës, pasi që po vazhdon të dërgojë me mijëra fëmijë të shëndoshë romë në shkolla për fëmijët me të meta mendore, ka theksuar organizata Amnesty International.

Romët përbëjnë rreth 80 për qind të nxënësve në këto shkolla, shtoi AI.

Romët janë një prej komuniteteve më të mëdha dhe më të varfra në Europë. Vlerësohet se prej 7 deri në 9 milionë romë jetojnë në Çeki, Sllovaki, Hungari, Bullgari, Rumani dhe në shtetet tjera.

“Po vazhdon diskriminimi sistematik i fëmijëve romë në fushën e edukimit. Autoritetet çeke duhet t’i japin fund segregacionit të fëmijëve romë në shkolla dhe të veprojnë për t’i dhënë fund diskriminimit”, tha Nicola Duckëorth, drejtor i AI-së për Europë dhe Azinë Qendrore.

Pas ankesës së paraqitur nga disa të rinj romë, Gjykata Europiane për të drejta të njeriut në vitin 2007 theksoi se Çekia duhet të ndalë dërgimin e fëmijëve romë nëpër shkolla speciale. Dështimi për të respektuar këtë vendim mund të rezultojë me një proces të ri dhe me gjobë apo sanksione të mundshme.

Ministria çeke e Edukimit, e cila ka theksuar se do të nevojiten vite të tëra për të zgjidhur këtë problem, ka theksuar se është studiuar situata aktuale dhe se janë ndërmarrë disa ndryshime ligjore.

Amnesty ka theksuar se ndryshimet nuk mjaftojnë dhe kërkoi nga qeveria çeke që të ndalë dërgimin e fëmijëve romë nëpër shkolla speciale.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›