Sulme të reja vetëvrasëse në Afganistan
Zyrtarët provincial kanë theksuar se një sulmues vetëvrasës ka vrarë së paku 16 persona, në një treg në pjesët qendrore të Afganistanit.
Guvernatori i provincës theksoi se sulmuesi ka hedhur sot vetën në ajër në një treg, në qytetin kryesor të provincës Uruzgan, Dihravud.
Guvernatori Gul Himat theksoi se si pasojë e shpërthimit janë vrarë 16 persona dhe janë lënduar 13 të tjerë.
Një sulm tjetër vetëvrasës ka ndodhur në jug të Afganistanit, me ç’rast sulmuesi kishte vënë në shënjestër një patrullë të policisë.
Një zëdhënës i qeverisë provinciale theksoi se sulmi ka ndodhur në Musa Qala, qytet në provincën Helmand. Sulmuesi ka qenë në këmbë dhe nuk ka arritur të godas shënjestrën e tij, por me këtë rast ka plagosur katër civilë.
OKB-ja ka njoftuar se sulmet vetëvrasëse me bomba dhe sulmet tjera kanë shkaktuar numrin më të madh të te vdekurve në Afganistan vitin e kaluar.
Sulmi u ndërmor vetëm disa orë pas vdekjes së katër sulmuesve tjerë potencial vetëvrasës, si pasojë e një shpërthimi të parakohshëm.
Të dyshimtit kanë qenë duke udhëtuar nga qarku Panjvaj për në Kandahar, në momentin kur ndodhi shpërthimi, deklaroi shefi i policisë Fazel Sharzad. Ai theksoi se ata kishin planifikuar sulme në Kandahar, por bomba në automjetin e tyre shpërtheu ende pa arritur ata në qytet.