11 miliardë lekë për të papunët e ARMO-s dhe “Albpetrol”-it
Punonjësit që kanë dalë të papunë pas privatizimit të shoqërisë ARMO dhe shoqërisë “Albpetrol” do të paguhen me një fond të posaçëm të miratuar dje nga qeveria. Janë rreth 11 miliardë lekë që janë miratuar dje për punonjësit e dy shoqërive. Qeveria miratoi dje një ndryshim në vendimin nr. 261 të Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin e punonjësve që dalin të papunë nga procesi i ristrukturimit të ARMO-s dhe “Albpetrol”-it”. Vendimi i djeshëm vendosi që shoqëritë do të përballojnë me likuiditetet e veta fondet e llogaritura për pagesën e punonjësve, që dalin të papunë. Është miratuar fondi 478.988.502 lekë për 606 punonjësit, që dalin pa punë nga ristrukturimi i ARMO, sh.a., Tiranë. Po dje qeveria miratoi fondin 672.200.000 lekë, për 1.100 punonjësit që dalin pa punë nga ristrukturimi i “Albpetrol” sh.a. Patos. Për 1.706 punonjësit e “Albpetrol”, që dalin të papunë nga privatizimi i ARMO-s, qeveria shton këtë fond për pagesat e tyre. Në mbledhjen e djeshme u miratua propozimi i ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, sipas të cilit, në fondin për 606 punonjësit e ARMO-s shtohen edhe fondi për 1.100 punonjësit e “Albpetrol”. Ndërkohë që një vendim qeverie i shkurtit 2008 ka të bëjë me punonjësit e shkurtuar pas privatizimit, të cilët do të marrin pagën bruto për një periudhë njëvjeçare. “Shoqëritë do të përballojnë me likuiditetet e veta fondet e llogaritura për pagesën e punonjësve, që dalin të papunë, si më poshtë vijon: a) 478.988.502 lekë, për 606 punonjësit, që dalin pa punë nga ristrukturimi i ARMO sh.a.-së, Tiranë; b) 672.200.000 (gjashtëqind e shtatëdhjetë e dy milionë e dyqind mijë) lekë, për 1.100 punonjësit, që dalin pa punë, nga ristrukturimi i “Albpetrol”, sh.a.-së Patos””, - thuhet në propozimin e Rulit. Në relacionin e hartuar prej tij argumentohet se nga përllogaritjet e fondit të shpërblimit për asistencë dhe fondit të shpërblimit për vjetërsi pune janë 468 milionë lekë. Por propozimi i Rulit për shtimin e fondit është kundërshtuar nga ministri i Financave, Ridvan Bode.