E Shtunë, 31 Tetor 2026

11 qytetet kryesore, ja rezultatet për Këshillat Bashkiakë

SHKRUAN: Fejzi Braushi 10-05-2011 14:40

Forcat politike, pjesëmarrëse në zgjedhjet e 8 majit, nuk janë në ankth vetëm për verdiktin për kandidatët për drejtues të njësive vendore, pasi pjesë e kësaj gare, dhe me një rëndësi jo të vogël, është edhe lufta për këshillat bashkiak dhe komunal. Megjithëse e gjithë vëmendja këto ditë është përqendruar kryesisht te beteja për kryetarët e bashkive dhe komunave, partitë politike kanë nisur të bëjnë dhe llogaritë përsa i përket këshillave. Gazeta “MAPO” ka mundur të sigurojë dje të dhëna zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mbi votën e shqiptarëve për subjektet politike, nga ku dhe do të dalin raportet e përfaqësimit në këshilla për 11 bashkitë qendër qarku, nga të cilat vlen të theksohet se në 8 prej tyre, Partia Socialiste ka arritur të marrë më shumë anëtarë, ndërsa në 3 të tjera në avantazh gjendet Partia Demokratike.

Rezultatet

Vetëm në katër nga këto bashki, rezultati është përfundimtar, pasi procesi i votimit është mbyllur dhe tashmë partitë politike mund të bëjnë llogaritë e sakta të përfaqësimit të tyre nëpër këshilla. Në tre prej këtyre bashkive, dhe më konkretisht në bashkinë Lezhë dhe Gjirokastër, ku procesi i numërimit të votave ka përfunduar, PS ka mundur të sigurojë shumicën e votave si subjekt politik, duke merituar kështu dhe më shumë anëtarë se çdo forcë tjetër politike, përfshi këtu edhe PD-në dhe LSI-në, ndërkohë që në dy njësitë e tjera, Peshkopi dhe Kukës, ku procesi i numërimit të votave ka përfunduar dhe listën e partive politike me më shumë anëtarë e drejton Partia Demokratike. Ndërkohë që në Kukës, forcë e dytë është renditur PLL, ndërsa PS është renditur vetëm e treta.

Socialistët

Në 7 bashkitë e tjera qendër qarku, ku procesi i numërimit është në vazhdim, Partia Socialiste dominon 6 prej tyre, duke përjashtuar vetëm Shkodrën, ku PD arrin të ruaj dominancën e saj të plotë edhe në Këshillin Bashkiak. Përsa i përket Shkodrës, të dhënat paraqesin PR-në si forcë të dytë në këtë qytet, pasi PS renditet vetëm e treta. Ndërkohë që në 6 njësitë e tjera, Durrës, Fier, Berat, Elbasan, Korçë dhe Vlorë, Partia Socialiste ka arritur të konfirmohet si forcë e parë politike, duke siguruar dhe vendin e parë të përfaqësimit në këshillat përkatës bashkiak. Konfigurimin më interesant të Këshillit Bashkiak duket se do ta ketë Durrësi, pasi PS kryeson me 2243 vota, kundrejt 1593 votave të PD-së, por ajo nuk siguron dot shumicën në këtë këshill, pasi partitë e tjera të koalicionit të djathtë kanë marrë vota të konsiderueshme. Kështu, si forcë e tretë në këtë qark është renditur PDIU me 1052 vota dhe pas saj vjen LSI, me 646 dhe PAA 190. Në bazë të këtyre të dhënave, edhe nëse kandidati i koalicionit të majtë do mund të fitojë postin e kryetarit të Bashkisë së Durrësit, ai do ta ketë tepër të vështirë të qeverisë këtë qytet, pasi shumicën e këshillit bashkiak do ta kenë të djathtë. Ndërkohë, që KQZ nuk ka mundur të ofrojë të dhëna vetëm për Këshillin e Bashkisë së Tiranës dhe kjo për shkak të veçantisë që ka sistemi i mbledhjes së të dhënave për këtë bashki.

Votat e partive për 11 bashkitë qendër qarku

Bashkia Durrës- PS 2243, PD 1593, PDIU 1052, LSI 646, PAA 190

Bashkia Vlorë – PS 5969, PD 2717, PDU 1215, LSI 913, PDS 613, PDK 569, PR 485

Bashkia Fier- PS 4923, PD 2030, LSI 920, PDI 791

Bashkia Berat- PS 663, PD 464, LSI 225, PDU 133, PDK 76

Bashkia Korçë – PS 3932, PD 2677, PBDNJ 595, LSI 436, PR 400

Bashkia Gjirokastër – PS 3993, PD 3364, G99 744, PDK 602, LSI 576, PSD 460

Bashkia Elbasan – PS 4440, PD 2692, LSI 997, PR 661, PDIU 505

Bashkia Lezhë – PS 960, PD 768, PLD 395, LSI 372

Bashkia Shkodër – PD 1273, PR 713, PS 657, PMD 406, LSI 306

Bashkia Kukës – PD 998, PLL 557, PS 488, PR 470, LSI 330

Bashkia Peshkopi – PD 2493, PS 1526, PR 420, PDS 369

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›