E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS rimerr bastionet në jug, revansh në veri

Socialistët dhe kandidatët e saj kanë shënuar avantazh në Bashkinë Kavajë, Bashkinë Laç dhe atë të Fushë Krujës

Partia Socialiste ndërmerr një revansh ndaj mazhorancës në 20 Bashki dhe dy komuna të shtrira në 12 qarqet e vendit. Këto njësi vendore kanë qenë nën drejtimin e partive, që aktualisht janë në koalicionin qeverisës dhe tanimë kanë ndërruar qëndrimin politik. Në krahun tjetër janë pesë Bashki, që ishin nën drejtimin e socialistëve dhe i janë rikthyer koalicionit të djathtë. Elementi më interesant në rezultatet e numërimit të votave ka të bëjë me shtrirjen e opozitës drejt disa njësive vendore, të njohura si bastione të demokratëve në veriun e Shqipërisë. Konkretisht, opozita ka marrë drejtimin e Bashkisë së Rrëshenit dhe asaj të Rubikut, ku ka përfunduar numërimi. Surprizë ishte avantazhi i konsiderueshëm i socialistëve në Bashkinë e Kavajës, ndërsa kandidati i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet mori Rrogozhinën. Sakaq, kandidatët e Partisë Socialiste janë në avantazh në Bashkinë e Laçit dhe në Bashkinë e Fushë Krujës. Partia kryesore e opozitës ka humbur drejtimin e Bashkisë së Pukës, të cilën e ka marrë Partia Demokratike, por ka rezultuar fituese në Bashkinë e Krumës dhe në Bashkinë e Hasit. Në Qarkun e Dibrës bie në sy fitorja e socialistëve, në Bashkinë e Burrelit, që ishte nën drejtimin e demokratëve. Socialistët kanë humbur kontrollin e Bashkisë së Lezhës, e cila i ka kaluar kandidatit të mazhorancës, që i përkiste Lëvizjes Socialiste për Integrim. Opozita rezulton se i ka marrë drejtimin demokratëve në Bashkinë e Ballshit, ashtu sikurse përfaqësuesit të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Lushnje. Socialistët janë në avantazh edhe në Bashkinë e Divjakës, sipas rezultatit të mbrëmshëm. Kandidatët e selisë rozë kanë rimarrë kontrollin e Bashkisë së Sarandës dhe atë të Orikumit. Bie në sy fitorja e socialistëve edhe në Bashkinë e Himarës, ku ka rezultuar humbës kryetari në rikandidim Vasil Bollano. Bazuar në të dhënat zyrtare, të shpërndara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, rezulton se opozita dhe kandidatët e saj kanë rimarrë kontrollin e disa bastioneve të humbura në zgjedhjet lokale të 18 shkurtit 2007. Socialistët rifituan kështu Bashkinë e Tepelenës, Bashkinë e Memaliajt dhe atë të Përmetit. Nga analiza e të dhënave mësohet se socialistët kanë humbur kontrollin e Bashkisë së Urës Vajgurore, ndërsa kanë dalë fitues në Bashkinë e Poliçanit dhe në komunën e Otllakut. Një tjetër detaj i rëndësishëm në rezultatet e djeshme është kapërcimi i mbështetjes politike të komunës Grumierë të Shkodrës, e cila ka zgjedhur drejtues kandidatin e Partisë Socialiste. Po surprizë ka qenë edhe avantazhi i socialistëve në Bashkinë e Fushë Krujës, deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Partia Socialiste e ka mundur të rimarrë kontrollin e Bashkisë së Gramshit, por ka humbur Bashkinë e Cërrikut. Rezultati i Bashkisë së Kamzës ka mbetur gjatë ditës së djeshme në një rivalitet të ashpër, mes kryetarit aktual Xhelal Mziu që garon për koalicionin qeverisës dhe rivalit të tij, Rakip Suli, i cili kandidon për socialistët. Kryetari në rikandidim ka ruajtur avantazhin gjatë gjithë ditës, por Kamza ka qenë gjithnjë, një ndër njësitë vendore bastion për demokratët. D.Malaj

TABELA

ISHIN ME PD KALOJNË ME PS

Qarku Lezhë

Bashkia Laç (avantazh PS)

Bashkia Fushë-Krujë (avantazh PS)

Bashkia Rrëshen

Bashkia Rubik

Qarku Kukës

Bashkia Krumë

Bashkia Has

Qarku Dibër

Bashkia Burrel

Qarku Fier

Bashkia Lushnje

Bashkia Divjakë (avantazh PS)

Bashkia Ballsh (avantazh PS)

Komuna Levan

Komuna Dushk

Qarku Vlorë

Bashkia Sarandë

Bashkia Himarë

Bashkia Orikum

Komuna Ksamil

Qarku Gjirokastër

Bashkia Tepelenë

Bashkia Memaliaj

Bashkia Përmet

Qarku Berat

Komuna Otllak

Bashkia Poliçan

Qarku Shkodër

Komuna Grumierë

Qarku Durrës

Bashkia Fushë Krujë (avantazh PS)

Qarku Elbasan

Bashkia Gramsh

Qarku Tiranë

Bashkia Kavajë

ISHIN ME PS KALOJNË ME PD

Qarku Lezhë

Bashkia Lezhë

Qarku Shkodër

Bashkia Pukë

Qarku Elbasan

Bashkia Cërrik

Qarku Tiranë

Bashkia Rrogozhinë

Qarku Vlorë

Komuna Qendër-Vlorë

Qarku Fier

Komuna Terbuf

Qarku Korçë

Komuna Pojan

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›