Tension në KQZ, anëtarët sharje dhe fyerje
Klima e ngarkuar zgjedhore dhe tejzgjatja e procesit të numërimit të votave, ka bërë që edhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve t’i lënë nervat. Megjithëse dje KQZ ka zhvilluar vetëm tre mbledhje, anëtarët e këtij komisioni kanë debatuar ashpër, ndërsa nuk kanë munguar edhe përplasjet fizike. Debate ka nisur pas një konference shtypi, që ka mbajtur nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi, nga foltorja e këtij institucioni, ku ka kritikuar punën e tij në administrimin e procesit të numërimit të votave. Gjithashtu, ajo ka akuzuar KQZ-në për mungesë transparence në prezantimin e rezultateve paraprake të zgjedhjeve. Duke marrë shkas nga ky veprim, kreu i KQZ-së Arben Ristani i ka bërë të qartë nënkryetares Subashi se nuk do ta lejonte më që të fliste nga foltorja e këtij institucioni, pa marrë më parë lejen e tij. “Që nga ky moment, ju ndaloj të flisni nga foltorja e KQZ-së, pa marrë më parë lejen time”, - iu drejtua Ristani nënkryetares Subashi. Kaq ka mjaftuar që anëtari tjetër socialist i KQZ-së, Artan Lazaj, të ndërhynte dhe të kritikonte Ristanin për fjalorin dhe tonin e përdorur ndaj Subashit. Por ndërsa kryetari Ristani ka mbyllur mbledhjen, ai i është afruar për të sqaruar situatën, duke provokuar një konflikt fizik. Ndërsa janë sharë me fjalë mes tyre, Ristani ka tentuar ta godasë me kokë Lazajn, ndërsa ndërhyrja e anëtarit tjetër Hysen Osmanaj, ka shmangur një përplasje më të madhe fizike.