E Diel, 1 Nëntor 2026

11 të prekur nga virusi i Nilit, rreziku pranë Shqipërisë

Epidemi e rëndë prek veriun e Greqisë, Ministria e Shëndetësisë merr masa urgjente, nis spërkatja me pesticide

Institucionet e kujdesit shëndetësor të veriut të Greqisë ndodhen në alarm. Kjo pasi Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (KEELPNO) njoftoi se 11 raste janë diagnostikuar si të prekur nga virusi i ri që njihet si “Virus i Nilit Perëndimor”. Të prekurit janë qytetarë që banojnë në zona të ndryshme të veriperëndimit të Greqisë. Nga 11 rastet, dy janë vërtetuar se janë të prekur nga virusi, ndërsa pritet të konfirmohen edhe rezultatet për të prekurit e tjerë. Ndërkohë që alarmi i autoriteteve greke ka krijuar dyshimet e para për rrezikun e prekjes nga virusi edhe në vendin tonë. Kjo për shkak të fluksit të emigrantëve që vijnë çdo ditë nga Greqia si dhe për shkak se sipas enciklopedisë, virusi në një pjesë të rasteve nuk jep asnjë simptomë edhe pasi të ka prekur.

Konfirmimi

Sipas sekretarit të përgjithshëm të Shëndetit Publik, i cili foli për “new//sit.gr”, dy gra mbi 75 vjeç kanë vdekur krejt papritur, por ende nuk është vërtetuar nëse vdekja e tyre erdhi nga virusi i Nilit, diçka që do të duket nga rezultatet që do të dalin nga laboratorët. Tre persona janë në gjendje të rëndë dhe kryesisht mosha të mëdha, gjendja shëndetësore e të cilëve ka qenë e rënduar edhe nga sëmundje të tjera për shkak të organizmit të dobët. Të prekurit e tjerë nga virusi janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të gjithë janë shtruar në spitalin e Selanikut.

Në orët e ardhshme do të dalin nga laboratorët rezultatet e 9 personave të tjerë, për të cilat nuk është vërtetuar 100% se janë të prekur nga virusi i Nilit. Sipas një deklarate të KEELPNO, “temperatura e Nilit të Perëndimit” në njerëz ka ndodhur edhe në vitin 1996 në shumë vende të Europës si Francë, Spanjë, Rumani dhe Hungari dhe kohët e fundit në Itali dhe Portugali. Gjithashtu nga viti 1996 e deri sot janë shënuar shumë raste edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Alarmi

Të alarmuara janë organet greke të Shëndetit, pasi Qendra e Kontrollit dhe e Parandalimit të sëmundjeve ka konfirmuar në prefekturën e Selanikut dhe zonat përreth, dy raste me encefalit. Kjo ka bërë që menjëherë organet përkatëse të marrin masa edhe më të rrepta për sa i përket spërkatjeve me pesticide dhe informim të popullsisë. Virusi i Nilit Perëndimor transportohet nga zogjtë dhe transmetohet gjithnjë nga njeriu tek njeriu, vetëm nëpërmjet pickimit nga mushkonjat e infektuara. Rastet lidhen me rritjen e madhe të temperaturave, si dhe numrin e madh të mushkonjave.

20% e të infektuarve shfaqin shenja të gripit të zakonshëm si temperaturë dhe dhembje muskujsh, ndërsa 80% nuk shfaqin asnjë simptomë. Por ky virus është i rrezikshëm sidomos për grupmoshat mbi 60 vjeç, për arsye se në 1 për qind të rasteve shfaqen simptoma neurologjike të rënda si meningjit, encefalit ose infeksione të tjera me frekuencë të lartë dëmtimesh neurologjike të përkohshme ose të përhershme. Midis masave të thjeshta që këshillojnë mjekët janë lyerja me ilaçe për largimin e mushkonjave, sita në dyer dhe dritare si dhe qarkullimi në orët e pasdites me këmishë me mëngë dhe pantallona të gjata. Epidemi të virusit të Nilit Perëndimor janë shfaqur që prej vitit 1996 në vendet e BE-së dhe SHBA, ndërsa është hera e parë që sëmundja shfaqet në Greqi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›