Antimafia, sekuestrohen 70 mijë euro
Një “pasuri” prej 70 mijë eurosh është bllokuar nga Gjykata e Tiranës, në bazë të ligjit të ri antimafie, pasi dyshohen se kanë prejardhje kriminale. Kapitali i bllokuar i përkiste dy vëllezërve Astrit dhe Fejzo Zeka, të cilët janë hetuar dhe gjykuar në shtetin italian për trafik të narkotikësh. çështja vijon të gjykohen në vendin fqinj, ndërsa drejtësia shqiptare ka përshpejtuar procedurat, duke bllokuar edhe sasinë e eurove, të cilat janë “ngrirë” deri në një vendim të dytë të gjykatave shqiptare. Burime nga Gjykata e Tiranës thanë për gazetën “Shqip” se vendimi është dhënë disa ditë më parë me kërkesë të njësisë së përbashkët hetimore Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës.
HetimiDisa muaj më parë, zyra e parandalimit të pastrimit të parave në Ministrinë e Financave ka referuar dosjen në Prokurorinë e Tiranës, duke akuzuar vëllezërit Zeka për akuzën e pastrimit të parave. Llogaria bankare prej 70 mijë eurosh është ngrirë, ndërsa çështja u dërgua për hetim në njësinë Task-Forcë. Burime nga Gjykata e Tiranë thanë se kërkesa e organit të prokurorisë konsistonte se dy vëllezërit dyshoheshin për akuzën e trafikut të narkotikëve në Itali dhe ata ishin objekt i hetimeve me ligjin e ri antimafie që ka hyrë në fuqi në fillim të këtij viti. Duke qenë se vëllezërit Zeka ishin nën hetim për trafik dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, rrjedhimisht drejtësia shqiptare filloi verifikimet e pasurive të tyre, të cilat kishin dyshime se mund të ishin ngritur në mënyrë të jashtëligjshme. Nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës ka rezultuar se Fejzo dhe Astrit Zeka nuk kanë treguar prejardhjen e llogarisë prej 70 mijë eurosh dhe duke qenë se ata gjykohen në Itali për trafik, duhet të deklarojnë para drejtësisë shqiptare se kjo shumë është e ligjshme dhe është ngritur në bazë të një aktiviteti të ligjshëm. Në ligjin e ri përcaktohet se barra e provës për të vërtetuar ngritjen e pronave apo pasurisë i takon individit dhe jo organit të akuzës. Në këtë rast, sipas akuzës, familja Zeka nuk ka sjellë asnjë faturë për këtë pasuri.
Letër-porosiaPas bllokimit të llogarisë prej 70 mijë eurosh nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, hetuesit e njësisë Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës kanë kërkuar prova që të vërtetonin prejardhjen e kësaj shume. Në drejtim të drejtësisë italiane është nisur një letër-porosi për të verifikuar aktivitetin e dy shqiptarëve Astrit dhe Fejzo Zeka. Kishte dyshime se dy vëllezërit kishin një aktivitet tregtar. Por, shteti italian u bëri me dije hetuesve shqiptarë se këta shtetas janë dyshuar për konsumimin e veprës penale të trafikut të narkotikëve dhe aktualisht çështja është në gjykim në Apel. Ndërkohë, pas sekuestrimit të kësaj shume nga Gjykata e Tiranës çështja do të dërgohet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në seksionin e Antimafies, pasi këta shtetas janë objekt hetimesh në bazë të këtij ligji për pasurinë.
#