Tiranë, sulmohet me acid nëndrejtori i Përmbarimit
Dëmtohet me acid nëndrejtori i Përmbarimit në Tiranë. Baftjar Mele është qëlluar në fytyrë me lëndë gërryese gjatë ekzekutimit të një vendimi gjyqësor. Ngjarja ka ndodhur mesditën e së shtunës në afërsi të sheshit “Avni Rustemi” në Tiranë, ku Mele së bashku me disa punonjës të policisë kishin shkuar për të ekzekutuar vendimin e gjykatës së kryeqytetit për lirimin e një lokali. Sapo kanë shkuar në afërsi të vendit të ngjarjes, janë sulmuar nga një person. Burime pranë Policisë së Tiranës thanë se autori i këtij incidenti është shtetasi Eqerem Visha, i cili nuk pranonte të lironte ambientet e lokalit, megjithëse kishte vendimin e gjykatës kundër, ndërsa ka reaguar dhunshëm ndaj Përmbarimit. Burime policore saktësuan se gjatë konfrontimit fizik është dëmtuar me mjetë të rënda edhe punonjësi i policisë Artan Boçi, ndërsa autori i këtij incidenti është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1.
Pas ngjarjes, nëndrejtori i Përmbarimit në Tiranë, Baftjar Mele, ka depozituar një kallëzim penal për ushtrim dhune ndaj shtetasit Eqerem Visha, duke treguar me detaje rrjedhën e ngjarjes, nga momenti i ekzekutimit e deri te konfrontimi fizik me të arrestuarin. Ai ka treguar në polici se sapo ka hapur derën e lokalit është qëlluar me një lëndë gërryese në fytyrë. Instinktivisht ka lëvizur kokën dhe acidi e ka prekur në njërën faqe, duke i shkaktuar disa dëmtime të vogla. I ndihmuar nga persona që ndodheshin aty pranë ka shkuar për të pastruar fytyrën, ndërsa, nga ana tjetër, autori i ngjarjes vijonte përleshjen me punonjësin e policisë, duke e goditur me një sëpatë. Mësohet se edhe punonjësi i policisë Artan Boçi, i cili është dëmtuar nga ngjarja e së shtunës, ka nënshkruar kallëzimin penal kundër Vishës, i cili do të ndiqet penalisht nën akuzën e “goditjes për shkak të detyrës” dhe “pengimit të urdhrit të gjykatës”. Pritet që gjatë ditës së sotme, Visha të paraqitet për masën e arrestit në Gjykatën e Tiranës.
Sipas burimeve nga policia, Gjykata e Tiranës kishte urdhëruar disa javë më parë ekzekutimin e një vendimi gjyqësor për një pronë në afërsi të sheshit “Avni Rustemi”. Gjatë ekzekutimit të vendimit, përmbaruesit kishin hasur në kundërshti të shoqëruara edhe me dhunë nga familja Visha, e cila nuk pranonte të lironte ambientin, megjithëse gjykata kishte një urdhër. Në disa raste, familja Visha kishte kërcënuar me jetë përmbaruesit dhe situata u degradoi në përleshje fizike midis përmbaruesve dhe personave që nuk pranonin të lironin ambientin.
#