E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana 1 milionë banorëshe, vetëm 2 farmaci në shërbim non stop

Të gjitha farmacitë në kryeqytet mbyllen orën 23:00 të mbrëmjes 
E gjithë Tirana mbulohet vetëm nga 2 farmaci, të cilat shërbejnë 24 pa ndërprerje, ndërsa të tjerat dhe pse cilësohen se kryejnë shërbim 24 orë, mbyllen të gjitha rreth orës 23:00-24:00. Por nevojat e një kryeqyteti me popullsi rreth 1 milion banorë, nuk mund të plotësohen vetëm me dy farmaci, aq më tepër kur njëra nuk ndodhet rreth qendrës së qytetit. Kështu, qytetarët e kryeqytetit vuajnë prej shumë vitesh mungesën apo numrin e vogël të farmacive roje nate, për të ofruar shërbim farmaceutik në çdo kohë kur qytetari e ka të domosdoshme. Vendndodhja e dy farmacive të vetme që shërbejnë edhe gjatë natës në kryeqytet, është e papërshtatshme për tu gjendur lehtë dhe shpejt nga qytetarët. Njëra nga farmacitë gjendet disa metra sipër Medresesë në Rr. e Dibrës, e cila ndodhet më afër QSUT. Në raste aksidentesh apo sëmundjesh të tjera në orët e vona të natës, qytetarët duhet të përgatiten sepse në kryeqytet nuk gjen shërbim farmaceutik. Ashtu si të gjitha llojet e aktiviteteve edhe aktiviteti farmaceutik operon me orare të kufizuara. Pjesa më e madhe e tyre, shërbejnë vetëm 8 orë, konkretisht nga ora 8:00 të mëngjesit deri 16:00. Ndërsa një pjesë tjetër e farmacive shërbej për qytetarët 12 orë dhe shumë pak 16 orë. Edhe në orën 23:00 qytetarët që kërkojnë të blejnë barna në farmaci, e kanë shumë të vështirë të gjejnë një të tillë që shërben, sepse të gjitha pothuajse janë të mbyllura. Ky fenomen negativ ndodh, ngaqë gjatë orëve të vona të natës mundësia për të fituar zvogëlohet, por nga ana tjetër, qytetarët që kërkojnë shërbim farmaceutik në këtë kohë, kanë nevojë urgjente, pra kur jeta e individit varet nga marrja e medikamenteve.  
Mungesa e farmacive roje nate në kryeqytet dhe ekzistenca e vetëm dy të tillave që shërbenin 24 orë, u konstatua edhe nga , Autoriteti Shëndetësor Rajonal Tiranë, i cili pasi vlerësoi situatën e rëndë, u bëri thirrje subjekteve farmaceutike që të ofrojnë këtë shërbim për qytetarët dhe se pranë këtij institucioni do të gjejnë gjithë lehtësirat e duhura me qëllim që të shtohet numri i farmacive që punojnë natën. Lehtësirat do të jenë në uljen e taksave dhe rritjen e pagës së punonjësve që do të shërbejnë gjatë natës. Ndërkaq, në ligjin Nr. 9323, dt. 25.11.2004 Për barnat dhe shërbimin farmaceutik, në nenin 39 të këtij ligji, parashikohet se shërbimi farmaceutik "Roje nate" në qendrat e mëdha urbane sigurohet nëpërmjet disa farmacive me rotacion të përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë, sipas numrit të popullsisë. Gjithashtu, edhe për sa i përket orareve të shërbimit farmaceutik gjatë ditëve të pushimit dhe të festave, parashikohet që këto orare të caktohet nga organet e pushtetit vendor, në bashkëpunim me Urdhrin e Farmacistëve dhe me organizatat e tjera profesionale të farmacistëve, në mënyrë që ky shërbim mos të mungojë për qytetarët. Megjithatë, shërbimi i farmacive në qytetin e Tiranës nuk zgjat më shumë se 12 orë duke filluar që nga mëngjesi, ndërkohë edhe këtë ndodhen përgjithësisht përreth spitaleve apo klinikave shëndetësore private dhe jo në gjeografikisht në vende sipas numrit të popullsisë. Pjesa e farmacive që shërbejnë vetëm 8 orë, janë ato që ndodhen përreth klinikave private dhe shërbejnë për aq koha sa është hapur edhe klinika private. Përveç mungesës së farmacive Roje nate, kontrolli i ASHR ka konstatuar se edhe ato farmaci që shërbejnë vetëm gjatë ditës nuk janë të pajisura me lejen e kushteve higjieno-sanitare.
Asnjë farmaci 24 orëshe rreth QSUT
Nëse në Tiranën prej më shumë se 1 milion banorë shërbejnë vetëm 2 farmaci 24 orë, pranë qendrës shëndetësore më të madhe në vend QSUT, nuk shërben asnjë farmaci në orët e vona të natës. Kështu, në rastet kur qytetarët apo pacientët e QSUT kanë shqetësime shëndetësore dhe u nevojiten barna apo qetësues, të cilat zakonisht nuk gjenden në spital, nuk u ofrohet shërbimi farmaceutik, pikërisht në momentet më vendimtare për shëndetin e tyre.  Shërbimi farmaceutik, sidomos gjatë orëve të vona të natës dhe pranë qendrave të mëdha shëndetësore, është në krizë, gjithashtu ky shërbim nuk i plotëson nevojat e qytetarëve.

Last Updated on Tuesday, 21 April 2009 11:17

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›