E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ultimatumi” për kartat falas, si alibi për humbjen e PS-së



Dr. Arian STAROVA

Pas disa javësh të një fushate propagandistike të aktorëve kryesorë të Partisë Socialiste dhe të partive të tjera të opozitës, me synimin e qartë për të njollosur përpjekjet shumë serioze të qeverisë së koalicionit të qendrës së djathtë për të organizuar sa më mirë zgjedhjet e përgjithshme të qershorit të këtij viti, dëgjuam të lëshohet për mediat një i ashtuquajtur ultimatum i Partisë Socialiste në lidhje me procesin e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me kartat e identitetit. Sipas këtij “ultimatumi socialist”, ose qytetarët pa pasaportë të pajisen falas me karta identiteti, ose Partia Socialiste do të ndërmerrte veprime të tjera politike që do të ndikonin për përkeqësimin e gjendjes politike ndërpartiake parazgjedhore.

Para së gjithash, gjuha e ultimatumeve nuk përputhet me përvojën e gjatë të sjelljes politike të partive në sistemet shoqërore demokratike të hapësirës euroatlantike. Kjo lloj gjuhe të kujton politikën e vjetër të Partisë Socialiste të vitit 1997, e cila e çoi vendin në prag të luftës qytetare dhe është në kundërshti të hapur me bashkëpunimin e vlerësuar ndërpartiak që çoi në përgatitjen dhe miratimin e Ligjit të ri Zgjedhor.

Së dyti, është krejt e paarsyeshme dhe e pamoralshme të mendohet se qeveria e shumicës parlamentare që drejton me sukses dhe ritme të shpejta vendin prej më se tre vjetësh, mund të jetë e interesuar të prishë normalitetin e procesit të ardhshëm zgjedhor të 28 qershorit. Përkundrazi, është qeveria shumë më e interesuar sesa opozita që zgjedhjet e përgjithshme të qershorit të ardhshëm të jenë sa më të mira, të lira e të ndershme, sepse ajo bart përgjegjësinë kryesore të organizmit të tyre.

Së treti, kërkesa për dhënien e kartave falas për qytetarët që nuk kanë pasaporta, është krejt e papërligjur, po të mbajmë parasysh çmimin fare të ulët që duhet paguar për to. Asimetria ndërmjet ultimatumit të djeshëm të socialistëve për prishjen e procesit zgjedhor dhe shkakut të tij jobindës financiar tregon qartë se Partia Socialiste synon të prishë procesin e ardhshëm zgjedhor. Arsyet e dukshme të këtij qëndrimi të papërgjegjshëm janë mungesa e alternativave të qarta për fushatën zgjedhore që thuajse ka nisur dhe parashikimi i humbjes së Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme.

Së katërti, procesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me karta identiteti është duke ecur normalisht dhe vështirësitë ose vonesat e paparashikuara që krijohen në raste të veçanta janë thjesht teknike dhe nuk e rrezikojnë përfundimin e tij në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit. Thirrjet e acaruara të socialistëve si ajo e djeshmja kërkojnë të nxitin qytetarët shqiptarë të krijojnë probleme atje ku ato nuk ekzistojnë. Le të rikujtojmë të gjithë se lëvizja e madhe e njerëzve brenda vendit dhe puna e pabërë nga socialistët gjatë tetë vjetëve të shkuar të qeverisjes së tyre për krijimin e Regjistrit Kombëtar të Votuesve e nxjerrin në pah punën gjigande të qeverisjes së sotme, e cila arriti ta bënte këtë Regjistër e të shpërndajë kartat e identitetit.

Së pesti, procesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me karta identiteti është përgjegjësi jo vetëm e qeverisë, por edhe e opozitës, sepse një pjesë e madhe njësive bashkiake ose komunore drejtohen nga socialistët. Prandaj, ky proces është një mundësi për bashkëpunim ndërpartiak, i cili nuk mund të përputhet me strategjinë e ultimatumeve.

Së fundi, Kryesia e Bashkimit Liberal Demokrat e dënon politikën socialiste të ultimatumeve dhe dëshiron t’i bëjë thirrje Partisë Socialiste të heqë dorë sa më parë prej saj si një politikë pa të ardhme dhe e dënuar të dështojë. Zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme duhet të shërbejnë për t’i treguar opinionit publik ndërkombëtar se Shqipëria është e aftë të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme përmes një konkurrence dhe bashkëpunimi ndërpartiak në përputhje me standardet demokratike.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›