Të gjenden shkaktarët!

Liderja e socialistëve në Kuvend ofroi mbështetje për prokurorinë dhe kërkoi përshpejtimin e hetimeve
Kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, kërkoi vënien përpara përgjegjësisë dhe ligjit të shkaktarëve të tragjedisë që ndodhi të dielën në qytetin e Gjirokastrës. Numri një i socialistëve në Kuvend kërkoi gjetjen e shkaqeve që sollën ngjarjen e rëndë dhe i shprehu mbështetje prokurorisë për të zbardhur të vërtetën. “Grupi parlamentar i PS-së kërkon që kjo ngjarje të zbardhet deri në fund, duke vënë përpara përgjegjësisë të gjithë shkaktarët. Ne mbështesim prokurorinë në punën e saj dhe njëherësh e nxisim atë që hetimet të përfundojnë sa më shpejt të jetë e mundur. Është një ngjarje që ka tronditur të gjithë dhe ne shprehim mbështetjen tonë për familjet e dëmtuara”, - u shpreh liderja e socialistëve në Kuvend. Leskaj kërkoi edhe rishikimin e kuadrit ligjor që lidhen me ndërtimet dhe lejet, duke iu referuar rastit të së dielës në Gjirokastër. “Rasti i djeshëm duhet të vlejë për përmirësime të ardhshme. Duhet një legjislacion që parandalon tragjedi të tilla. Duhen evidentuar të gjitha dobësitë që mund të lënë shkak për abuzivizëm. Duhet të evidentohen të gjitha mangësitë ligjore që mund të lënë shkak për abuzivizëm, të rishikohet i gjithë legjislacioni për sektorin e ndërtimeve, që nga lejet, ndërtimet, legalizimet etj”, - u shpreh kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, në fjalën e mbajtur gjatë seancës së djeshme plenare. Sipas Valentina Leskajt, në funksion të garantimit të sigurisë së jetës së njerëzve është i nevojshëm rishikimi i legjislacionit. Ajo shtoi se gjithë legjislacioni duhet parë në tërësi dhe duhen parandaluar legalizimet e ndërtesave që janë pa kriter. Kryetarja e grupit parlamentar të partisë më të madhe opozitare kërkoi projektligje edhe për strukturën e emergjencës civile. Sipas Leskajt, pavarësisht gatishmërisë që kanë treguar dje, strukturat e emergjencës civile kanë nevojë të mbështeten me kapacitet dhe të mos presin ndihmë nga Greqia. Ajo falënderoi autoritetet greke, të cilat dhanë kontributin e tyre, por i kërkoi ekzekutivit shqiptar që të forcojë emergjencat civile. Në emër të grupit parlamentar të PS-së, liderja e socialistëve në Kuvend, Leskaj, shprehu ngushëllime për familjet Zoto dhe Dajlani, që kanë humbur të afërmit.