E Shtunë, 31 Tetor 2026

12% e shqiptarëve të varfër, gjysma e tyre janë fëmijë

Hendeku i zgjeruar mes të pasurve dhe të varfërve dhe midis atyre që i gëzojnë të drejtat e tyre dhe atyre që nuk munden, duhet të mbyllet. Qeveritë nuk duhet të gjykohen nga mënyra se si u shërbehet disa fëmijëve, por më tepër se si u shërbehet të gjithë fëmijëve. Këto kanë qenë disa nga pikat e nënvizuara dje nga UNICEF, në 20-vjetorin e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve.

Njëzet vjet pas hyrjes në fuqi të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve ky dokument, ende i ofron botës një vizion në ku të gjithë fëmijët mbijetojnë dhe zhvillohen, janë të mbrojtur, respektuar dhe inkurajohen për të marrë pjesë në vendimet që i prekin ata. "Ajo na kujton se çfarë ka mbetur për të bërë. Konventa zbaton mendimin se fëmijët kanë të drejtat universale dhe ato nuk janë objekt bamirësie. Të bësh më të mirën për të përmbushur të drejtat e fëmijëve nuk është një opsion, por një detyrim", referoi dje UNICEF me rastin e 20-vjetorit të Konventës mbi të Drejtat e Fëmijës.

Shqipëria

Ka ende shumë fëmijë shqiptarë, të cilët nuk mund të shkojnë në shkollë apo klasa përgatitore, të marrin pjesë në jetën sociale dhe kulturore, ose nuk u kërkohet dhe as nuk u dëgjohet mendimi i tyre. Jeta mbetet një vështirësi për fëmijët që jetojnë në zonat e izoluara rurale të varfra apo në rrethinat e qyteteve. Ka ende shumë fëmijë, të cilët jetojnë dhe punojnë në rrugë, të cilët kanë qenë të trafikuar, ose janë përfshirë në gjakmarrje apo konflikte jashtë kontrollit të tyre. Sipas UNICEF, shumë fëmijë janë të lënë pas dore dhe keqtrajtohen. Fëmijët nga pakica etnike dhe kulturore vazhdojnë ta gjejnë shumë të vështirë të integrohen, ndryshe nga fëmijët e tjerë. Sipas Anketimit të Matjes së Standardit të Jetesës, 12,4 për qind e të gjithë shqiptarëve konsiderohen të varfër dhe gjysma e tyre janë fëmijë. Vetëm një në dy fëmijë ka qasje në arsimin parashkollor.

Për fëmijët romë, qasja në sistemin parashkollor është vetëm 30%. "Ne mund të ndahemi mbi shumë gjëra dhe përtej linjave partiake, por ne nuk mund të ndahemi kur është fjala për fëmijët. Është një politikë e mirë kur ju tregoni që ju kujdeseni për fëmijët dhe ndihmoni për të siguruar mirëqenien e çdo fëmije. Ne duhet të bashkohemi për fëmijët", tha Detlef Palm, përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri.

Konventa

Ndërsa fëmijët kanë të njëjtat të drejta të njeriut si të rriturit, liderët e pranojnë se fëmijët kanë nevojë për mbrojtje të veçantë dhe konsideratë. Sot Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës është traktati i të drejtave të njeriut më i ratifikuar në historinë njerëzore. Shqipëria e ka ratifikuar Konventën në vitin 1992. KDF është një traktat i detyrueshëm i së drejtës ndërkombëtare. Parimet e tij universale zbatohen për të gjithë fëmijët, në të gjitha vendet dhe kulturat, në çdo kohë dhe pa përjashtim. KDF ka transformuar mënyrën se si fëmijët trajtohen në të gjithë botën. Konventa kërkon që vendimmarrësit të kenë parësore interesin më të lartë për fëmijët në të gjitha vendimet që kanë një ndikim mbi ta. Konventa përfaqëson një përgjegjësi kolektive, që ndahet nga secili, komuniteti, kompani, institucion dhe qeveri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›