Preja fut në "grackë" tatimorin dhe punonjësin e SHISH-it
Një punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe një i tatim-taksave të Gjirokastrës kanë rënë në prangat e policisë për shantazh. "Preja" ka qenë I.Z., pedagoge e Universitetit "Eqrem Çabej", së cilës i është kërkuar një shumë prej 4 mijë eurosh në këmbim të mospublikimit të një videoje komprometuese, ku tregonte se pedagogia kishte marrë ryshfet. Operacioni policor i koduar "Inteligjenca", i organizuar nga një grup special i policisë i ardhur nga Tirana, ka mundur të prangosë pak para mesnatë të së premtes, dy persona me funksione publike, njëri në administratën shtetërore të tatim-taksave dhe tjetri në strukturat e shërbimit sekret SHISH të Gjirokastrës. Dy personat dyshohet se duke shfrytëzuar pozicionet e tyre të punës i kanë vënë gjobën prej 4 mijë eurosh, duke e kërcënuar atë me publikimin e materialit filmik dhe nisjen e hetimeve për mitëmarrje. Të ndaluarit mësohet se janë Adriatik Çalaj, 28 vjeç, punonjës i strukturave të Shërbimit Sekret Shtetëror dhe 30-vjeçari Laert Braho, me detyrë inspektor pranë degës rajonale të tatim-taksave në Gjirokastër. Burime zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, kanë bërë të ditur mëngjesin e së shtunës se rreth orës 23.40 të së premtes është bërë ndalimi në flagrancë i dy personave që ushtronin funksione të rëndësishme në strukturat e administratës publike, përkatësisht në Drejtorinë Rajonale të Tatim-Taksave në Gjirokastër dhe në strukturat e SHISH-it. Të njëjtat burime kanë pohuar se dy të ndaluarit prej disa kohësh kishin nisur shantazhet mbi pedagogen, e cila nën presionin e tyre ka denoncuar në Policinë e Shtetit Tiranë. Kanë qenë pikërisht ekspertët e kësaj të fundit që kanë bërë të mundur futjen në grackë të dy personave me funksione publike. Shuma prej 4 mijë eurosh, është marrë nga inspektori i tatimeve Laert Braho për t‘ia dhënë më pas inspektorit të SHISH-it Adriatik Çalaj. Pikërisht në momentin që 30-vjeçari Braho ka marrë shumën e lekëve nga pedagogia, ai është arrestuar në flagrancë nga grupi special i ardhur prej Tiranës dhe shuma e eurove është sekuestruar në cilësinë e provës materiale pak para se t‘i dorëzohej inspektorit të SHISH-it. Burime të policisë bënë të ditur gjithashtu se në momentin e kapjes së inspektorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Adriatik Çalaj, policia mundi të gjejë dhe të sekuestrojë në cilësinë e provës materiale edhe një DVD me materiale filmike, me të cilat dy të arrestuarit synonin t‘i bënin shantazh pedagoges. Ndërkohë, burime nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se agjentë të Policisë Gjirokastër, duke mos pasur dijeni për organizimin e këtij operacioni, kanë ndërhyrë në moment, duke e konsideruar përplasjen mes të arrestuarve dhe policisë si një ngjarje ordinere, por më pas situata është qartësuar dhe dosja me provat e materialet e para hetimore i është dërguar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme. Ata akuzohen për veprën penale të "kryerjes së korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike, kryer në bashkëpunim", parashikuar nga neni 259 dhe 25 të Kodit Penal.