E Shtunë, 31 Tetor 2026

12 maj 2008 - Kuvendi mblidhet në seancë plenare

Kuvendi u mblodh në seancë plenare ditën e hënë,  më 12 maj 2008, ora 18:00, nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.   Në këtë seancë të radhës, Kuvendin e përshëndeti Kryetari i Bundestagut gjerman, Norbert Lammert, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare.
Duke përshëndetur në gjuhën shqipe, z. Lammert falënderoi për ftesën e bërë nga Kryetarja Topalli për të vizituar Shqipërinë dhe për të përshëndetur Kuvendin.   Më pas, seanca vijoi me rendin e ditës, ku një ndër pikat më të diskutuara nga deputetët, ishte Kalendari Trejavor i Punimeve të Kuvendit për periudhën 12 maj 2 qershor 2008.
Deputetët kërkuan shpjegime lidhur me kërkesat për interpelanca me Kryeministrin, të paraqitura nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, si dhe përfshirjen në procedura parlamentare të nismës ligjore të paraqitur nga i njëjti grup, për kompensimin e të prekurve nga ngjarja e Gërdecit.   Në përgjigje të pyetjeve të deputetëve, Kryetarja Topalli tha se nisma ligjore në fjalë është dërguar në Ministrinë e Financave, e cila do të japë mendimin e saj, pasi kjo nismë ka efekte financiare dhe më pas ajo do të hyjë në procedurat parlamentare.
Lidhur me interpelancat e kërkuara, zonja Topalli tha se disa prej kërkesave të depozituara paraqesin shkelje të Rregullores së Kuvendit, ndërsa të tjerat do të shpërndahen tek ministrat përkatës sipas çështjeve, pasi është e pamundur që të gjitha interpelancat e kërkuara të përqëndrohen vetëm te Kryeministri.   Pas diskutimeve, deputetët miratuan me shumicë votash Kalendarin e Punimeve të Kuvendit.   Kuvendi vendosi të shtyjë për në seancat e ardhshme, diskutimin dhe votimin e projektligjit Për një ndryshim në ligjin nr. 9380, datë 28.4.2005, Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të.   Gjithashtu, Kuvendi miratoi edhe projektligjin Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9669, datë 12.12.2006, Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare; projektligjin Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8102, datë 28.3.1996, Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit të përpunimit të ujrave të ndotura, të ndryshuar; projektligjin Për një shtesë në ligjin nr. 9723, date 3.5.2007 Për Qendrën Kombëtare të Rregjistrimit; projektvendimin Për miratimin e strukturës dhe organikës së Autoritetit të Konkurrencës si dhe kategorizimi i pagave për çdo pozicion; projektvendimin Për miratimin e strukturës dhe organikës së Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe kategorizimi i pagave për çdo pozicion, si dhe projektrezolutën Për vlerësimin e punës së Këshillit Drejtues të Radio Televizionit për vitin 2007.   Seanca i mbylli punimet rreth orës 19:40, ndërkohë që Kuvendi do të mblidhet sërish në seancë plenare ditën e enjte, më 15 maj 2008, ora 10:00.     Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al;
pressoffice@parlament.al; info@parlament.al.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›