12 mars 2008
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrton dy projektligje Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e tij të datës 12 mars 2008, shqyrtoi:
1. Projektligjin Për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime OPERATORI I SISTEMIT TË SHPËRNDARJES.
2. Projektligjin Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë.
Gjatë shqyrtimit të projektligjit të parë, ishte i pranishëm Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, i cili informoi Komisionin se duke patur parasysh gjendjen në të cilën gjendet sot sektori i energjisë elektrike, privatizimi i sistemit të shpërndarjes bëhet me qëllim për ti hapur rrugë kryerjes së investimeve, mirëmenaxhimit në këtë sektor, si dhe shmangies së problemeve financiare të sektorit.
Shitja e veprimtarisë të shpërndarjes së KESH, sh.a., do të krijojë mundësitë për burime të reja kapitali, përvojë dhe aftësi menaxheriale ndërkombëtare dhe teknologji moderne.
Për privatizimin e OSSH-së, sh.a. projektligji parashikon transferimin e aksioneve, të zotëruara nga shteti, tek investitorët strategjikë, si dhe parashikohet që paketa e mbetur, tu ofrohet ish-subjekteve të shpronësuara të truallit dhe të ndërtesave dhe punonjësve të OSSH, sh.a.
Pas diskutimeve, deputetët e miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi këtë projektligj me të gjitha votat pro. Gjatë shqyrtimit të projektligjit të dytë, ishin të pranishëm: përfaqësuesja e Ministrisë së Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacioneve, Alketa Mukavelati, përfaqësuesja e ERT-së, Irena Malolli, përfaqësuesit e Shoqatës së Kompanive të Shërbimeve Telefonike, Ylli Pulaj dhe Ilirian Bega , përfaqësuesja e Zyrës Ligjore Zaka, Kosta & Tashko, Flonia Tashko dhe përfaqësuesit e kompanisë Vodafon, Evis Karandrea, Krenar Loloçi, Alban Çaushi dhe Majlinda Despoti. Fillimisht u dëgjuan pretendimet e të ftuarve dhe më tej u kalua në pyetje.
Në përfundim, Komisioni vendosi ta vazhdojë shqyrtimin e projektligjit në mbledhjen e ditës së hënë, në orën 10:00. (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 4 23 46 07). Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al;
pressoffice@parlament.al; info@parlament.al.