E Diel, 1 Nëntor 2026

12 qershor 2008 - Kuvendi mblidhet në seancë plenare

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti sot në mjediset e Sallës së Seancave Plenare një grup studentësh nga Universiteti UFO, me të cilët bisedoi për çështje të ndryshme, veçanërisht për mundësitë që Kuvendi mund të ofrojë për studentë të degëve të ndryshme të ndjekin punimet pranë Komisioneve të Përhershme.   Më pas, Kuvendi u mblodh në seancë plenare bazuar në këtë rend dite:     1. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (deri 60).
2. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare, datë 9.06.2008.
3. Projektligji Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e pjesshme të zgjeruar, në sport (EPAS).
4. Projektligji Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen europiane, për zbatimin e nenit 23, të Konventës të vitit 1949, për trafikun rrugor, në lidhje me përmasat dhe peshën e mjeteve, që lejohen të udhëtojnë në rrugë të caktuara të palëve kontraktuese.
5. Projektligji Për ratifikimin e marrëveshjes së kontributit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe AL-DIË AN AL-EMIRIT, të shtetit të Kuvajtit, për financimin e projektit Rinovimi i sheshit Skënderbej dhe restaurimi i Xhamisë së Ethem Beut në Tiranë.
6. Projektligji Për parandalimin e çrregullimeve, të shkaktuara nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut.
7. Projektligji Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore.
Për votim:
1. Projektrezolutë Për vlerësimin e punës së Komisionit të Shërbimit Civil për vitin 2007.
Diskutimet për çështje jashtë rendit të ditës u përqëndruan në probleme të raporteve të organizmave ndërkombëtarë për Shqipërinë, në çështjen e imunitetit dhe kufizimit të tij për të garantuar barazi para ligjit për të gjithë qytetarët, në probleme të zonave zgjedhore, etj.   Seanca i ndërpreu punimet për disa minuta, me kërkesë të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.   Pas rifillimit të punimeve, kryetarja e këtij grupi parlamentar, Valentina Leskaj njoftoi vendimin e Grupit Parlamentar të PS-së për të braktisur seancën. Zonja Leskaj tha se grupi socialist kërkon miratimin sa më parë në seancë plenare të dekreteve të Presidentit të Republikës për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.   Nga ana e tij, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, nënvizoi se Kuvendi po vepron në respekt të të gjitha procedurave të parashikuara nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit dhe se nuk ka arsye për vendimin e grupit socialist për të braktisur sallën.
Vendimit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste iu bashkëngjit edhe Grupi Parlamentar i Partisë Socialdemokrate. Duke folur në emër të këtij grupi, deputeti Skënder Gjinushi kërkoi që votimi për dekretet në fjalë të bëhet në seancën e ardhshme.   Kjo kërkesë u mbështet edhe nga Grupi Parlamentar LSI+PDS.   Kryetarja Topalli, nga ana e saj, u shpreh se tashmë kishte njoftuar, në bazë të Rregullores, ditët në të cilat do të zhvillohej votimi si për çështjen e kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të deputetit, Fatmir Mediu, ashtu edhe për çështjen e dekreteve të Presidentit për  emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.   Seanca vijoi punimet me shqyrtimin e projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës, votimi i të cilave u vendos të zhvillohet në seancat e ardhshme.   Seanca u mbyll rreth orës 12:40, ndërkohë që Kuvendi do të mblidhet sërish në seancë plenare ditën e hënë, më 16 qershor 2008, ora 18:00.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›