E Shtunë, 31 Tetor 2026

3 qershor 2008

  Komisioni i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik shqyrton projektligji Për aderimin e Republikës ës Shqipërisë në Marrëveshjen e pjesshme, të zgjeruar, në sport (EPAS)   Në mbledhjen e datës 3 qershor 2008, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik  u njoh dhe diskutoi Projektligji Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Marrëveshjen e pjesshme, të zgjeruar, në Sport (EPAS),  me praninë e Violeta Shqevit, specialiste për sportet në Ministrinë e Turizimit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.   Përfaqësuesja e Ministrisë, me kërkesën e Komisionit dha shpjegime mbi Marrëveshjen, duke e konsideruar të nevojshme aderimin në të. Kjo është një marrëveshje e rëndësishme e miratuar nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës në maj të viti 2007. Kjo marrëveshje, që kërkohet të ratifikohet, do të vazhdojë të ruajë të gjitha marrëveshjet e tjera të nënshkruara nga Shteti Shqiptar në fushën e Sportit. EPAS i do të hartojë politikat dhe do të përcaktojë standardet, do të monitorojë zbatimin e Kartës Europiane të Sportit, do të sigurojë kapacitetet në fushën e Sportit për të gjithë, do të hartojë programin e veprimtarive për bashkëpunimin ndërqeveritar në fushën e sportit, do të përgatisë takimet ministeriale. Sipas projektstatutit, çdo shtet që anëtarësohet në të, do të paguajë një kontribut vjetor.   Pas shpjegimeve, Komisioni u shpreh pro kalimit për miratim të Marrëveshjes në seancë plenare.   Mbledhje e Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 3 qershor 2008, shqyrtoi këto  çështje:
1. Seancë dëgjimore me Ministrin Genc Ruli, në lidhje me reformën institucionale që po bëhet në kompanitë e naftës Armo sh.a dhe Albpetrol sh.a.  e shoqëruar me largimin nga puna të një pjese të punonjësve  të këtyre kompanive.
2.  Shqyrtimi i projektligjit Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen Europiane, për zbatimin e nenit 23, të Konventës të vitit 1949, për trafikun rrugor, në lidhje me përmasat dhe peshën e mjeteve, që lejohen të udhëtojnë në rrugë të caktuara të palëve kontraktuese.
Për çështjen e parë  të rendit të ditës, ishin të pranishëm në mbledhje Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli dhe specialistët e kësaj Ministrie, Ylli Gjoni dhe Rezart Ferzaj. Fillimisht  foli  deputeti  Fatmir Xhindi, i cili  kishte kërkuar  këtë seancë dëgjimore. Ai paraqiti disa letra dhe peticione të dërguara  nga  punonjësit dhe sindikatat e punonjësve të këtij  sektori, në lidhje me parregullsitë e kësaj reforme. Më pas u dëgjuan sqarimet e  Ministrit, Genc Ruli dhe Drejtorit të Albpetrolit, Ylli Gjoni.
Ata shpjeguan se kjo reformë  në këtë sektor është  një domosdoshmëri  për të rritur eficiencën e tij. Kriteret  që janë ndjekur, kanë pasur për qëllim ta bëjnë atë sa më pak të dhimbshme. Nuk është e vërtetë që ka pasur kritere politike në heqjen e punonjësve. Gjatë zbatimit  të saj, ka pasur një bashkëpunim me sindikatat dhe një transparencë të mjaftueshme. Për ndonjë shkelje të vërejtur,  janë marrë masa.
Në përfundim,  Komisioni vendosi që të  dërgojë në vend  një grup deputetësh për të verifikuar në vend zbatimin e reformës. Në këtë grup do të marrin pjesë  deputetët: Fatmir Xhindi, Flamur  Hoxha, Ardian Kollozi, Pilo Keri dhe Ilir Bano.
Për çështjen e dytë  të rendit të ditës, ishte e pranishme në mbledhje përfaqësuesja e Ministrisë së Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Renata Teta, e cila shpjegoi se marrëveshja në fjalë është nënshkruar në Gjenevë  në vitin 1950. Ajo ka për qëllim harmonizimin e peshave dhe përmasave të mjeteve rrugore të regjistruara  në territorin e një pale kontraktuese që kryejnë  udhëtime në territorin e një pale tjetër kontraktuese, duke respektuar  aneksin 7 të Konventës Për trafikun rrugor të vitit 1949, si dhe caktimin  e arterieve për kalimin e këtyre mjeteve. Institucioni përgjegjës për zbatimin e marrëveshjes është Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Pas dëgjimit të  shpjegimeve të  specialistes, Komisioni u shpreh dakord në parim me  miratimin e projektligjit.   Komisioni për Ekonominë dhe Financat miraton disa projektligje   Në mbledhjen e datës 3 qershor 2008, Komisioni për Ekonominë dhe Financat vazhdoi diskutimin nen për nen të projektligjit Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, si dhe këto çështje:
1.Miratimi i kalendarit 3-javor të Komisionit;
2.Projektligji Për ratifikimin e marrëveshjes së kontributit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Al-Diwan Al-Emirit, të shtetit të Kuvajtit, për financimin e projektit Rinovimi i Sheshit Skënderbej dhe restaurimi i xhamisë së Ethem Beut në Tiranë;
3.Projektligji Për ratifikimin e konventës ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Letonisë, për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal, në lidhje me tatimin mbi të ardhurat dhe kapitalin;
4.Projektligji Për ratifikimin e konventës ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Sllovenisë, për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal, për tatimin mbi të ardhurat dhe kapitalin;
5.Projektligji Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën evropiane Për trajtimin doganor të paletave të përdorura në transportin ndërkombëtar;
6.Projektligji Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Për taksimin e automjeteve rrugore për përdorimin privat në trafikun ndërkombëtar dhe në protokollin e nënshkrimit.
Komisioni ishte dakord me të gjitha këto marrëveshje dhe i miratoi me të gjitha votat pro.
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›