E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova – shtet në limbo europiane

12-12-2011 / Nga Jonas Parello-Plesner

Viti 2008, Kosova u bë shteti më i ri europian. Por vendi jeton me një hije të prezencës ndërkombëtare. Kosova nuk njihet nga të gjitha shtetet e BE-së, gjë që e bën të ardhmen e Kosovës në BE të pasigurt. Kosova po largohet gjithnjë e më shumë nga vija e hollë e kërthizës me Serbinë, e cila ende insiston që Kosova është pjesë e saj. Si Kosova ashtu edhe Serbia e shohin të ardhmen në kuadër të BE-së. Serbia punon shumë të marrë fillimin e negociatave me BE-në, sidomos pas dorëzimit të kriminelëve të luftës në Hagë. Kjo ishte shpresa kryesore nga takimi i liderëve, por kriza e euros, e dërgon çështjen poshtë në listë të prioriteteve. Kosova thjesht shpreson të mos harrohet si një zorrë qorre në Ballkan. Ndërsa edhe më tutje veriu kosovar qëndron në eksitim permanent si shoqëri e ndarë në mes shqiptarëve dhe serbëve. Liderët europianë duhet të tregojnë pjekuri dhe të kthyer nga ardhmëria duke krijuar për të dy shtetet vend në BE. Zgjerimi europian nuk bën të ndalet dhe shtetet e BE-së nuk duhet harruar se prioriteti numër një është të krijojnë kontinent të lirë dhe në paqe.
Isha para ca kohe në Kosovë në një nga konferencat më të mëdha që ka qenë e organizuar nga thinktanku europian European Council on Foreign Relations. Në fluturim drejt Prishtinës, bisedoj me një bashkëpasagjer. Endriti është një burrë në të tridhjetat që po kthehet nga Tikriti i Irakut. Tani ka kursyer mjaft për një shtëpi dhe automobil dhe ka vendosur të kthehet në Kosovë te gruaja dhe tre fëmijët që përbëjnë familjen e tij. Vëllai dhe babai i Endritit jetojnë në Zvicër. Këta janë simboli i Kosovës: gastarbajterët jashtë vendit. Të ardhurat e tyre krijojnë një linjë ndihmese për ekonominë kosovare. Endriti më përmend se edhe vëllain e ka pasur si refugjatë në Danimarkë ca muaj të 1999-ës. Dëshiron të më falënderojë si danez. Danezët edhe i kujtojnë pamjet në TV të kosovarëve nga 1999 që iknin kah malet e Shqipërisë dhe Maqedonisë. Këto pamje krijuan reagim ndërkombtar që solli bombardimin e NATO-s për të ndalë pastrimin etnik. Në aeroportin e Prishtinës marr vulë në pasaportën time daneze. Kolegu im sllovak nuk merr vulë. Ai vjen nga një shtet që nuk e njeh Kosovën. Jemi në Europë, por kjo situatë m’i kujton konfliktet e tjera të ngrira, sikurse kur kaloj kufirin sirian apo libanez me Izraelin, ose nga Kina në Tajvan, apo nga Kuba në SHBA. Fjala është që të mos merret vula, që të mos krijohen probleme në udhëtime te fqinjët. Po ashtu, participantët serbë në konferencën e Prishtinës vijnë kah Vjena, edhe pse me automobil distanca është si prej København deri në Aarhus. Në konferencë e marr një USB-çelës nga Qeveria e Kosovës me slloganin “The Young Europeans”. Ka diçka këtu. Petrit Selimi, zëvendësministri i jastëm, është simbol i thënies. Është në fillim të tridhjetave, në moshën kur danezët tek fillojnë të kërkojnë punë të vërtetë dhe rrezaton dinamikë të shtetit të vogël të ri. Petriti ka studiuar në Norvegji ku ka jetuar, dhe më vonë në shkollën prestigjioze London School of Economics, dhe tashmë e njeh Europën nga jugu në veri. Ministrja për Europë, Vlora Çitaku, ka moshë të njejtë. Ajo e përshkruan një pamje të mprehtë të negociatave të Kosovës me institucionet e BE-së, dhe tregon se dobësi e ka FC Barcelonën, për të cilën flet me qejf. Më tregon për një debat që ka pasur me një votues të ri që dëshmon çështjen kryesore të Kosovës. Tifozi i Barcelonës e ka pyetur ministren se kur do t’i përmirësojnë marrëdhëniet me Spanjën që edhe ai të ketë mundësi ta sheh Barcën në stadiumin të vet. Rrëfimi projekton faktin që Spanja është shteti më i madh i BE-së që nuk e njeh Kosovën. Shtetet europiane që nuk e kanë njohë Kosovën (Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qipro) kanë minoritete apo nerva të dobët sa i përket lëvizjeve për vetëvendosje, sikurse edhe Spanja me ETA apo Qipro me ndarje në mes grekëve dhe turqve. Kjo po ashtu do të thotë se BE nuk ka politikë të përbashkët të jashtme në këtë pyetje.
Kosova veriore ende është problem i pazgjidhur. Këtu jetojnë sidomos serbët që kanë përkrahje nga Serbia në veri. Kohëve të fundit është krijuar një konflikt me rrugë të bllokuara dhe dhunë të përdorur dhe ushtarë të NATO-s të lënduar. Hidhërimi i minoritetit serb atje eksplodoi kur Kosova insistoi të ketë doganë nga autoritetet. Bisedat në mes Kosovës dhe Serbisë janë ndërprerë një kohë por tani po vazhdojnë. Takimi i liderëve europanë ka krizën ekzistenciale të euros si kryetitull, por në të njëjtën kohë nuk mund të injorojmë temat që presin. Duhet dhënë Serbisë një perspektivë europiane larg nga nacionalizmi dhe pansllavizmi. Prandaj fillim i mbarë – edhe i politikës së përbashkët europiane – do të ishte që pesë shtetet jonjohëse të Kosovës ta bëjnë këtë, kështu që Europa të ketë një qëndrim ndaj pavarësisë së Kosovës, kështu që shteti i ri të dalë më në fund nga ekzistenca në limbon europiane.

Jonas Parello-Plesner është ekspert për Kinën, ish-diplomat danez, redaktor i revistës diplomatike dhe anëtar bordi i ECFR

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›