Nikolla:Përshkallëzim të grevës nëse nuk plotësohen kërkesat

Ndërkohë që greva e urisë së minatorëve të Bulqizës ka hyrë në ditën e 8-të të saj, kryetari i konfederatës së sindikatave Kol Nikolla ka ripërsëritur edhe një herë se greva nuk do të ndërpritet derisa të plotësohen kërkesat e tyre.
Në një intervistë për “Ora News”, Nikolla ka deklaruar se situata e 15 minatorëve të cilët ndodhen brenda minierës sa po vjen e po agravohet ndërsa ka shtuar se grevistët ka ndërprerë edhe komunikimin me jashtë.
“Po përpiqemi që përmes telefonit manual të psikologët të komunikojnë me ta pasi jemi të bindur se mund të arrijmë diçka. Jemi optimist pasi kemi mbështetjen e opinionit publik” theksoi Nikolla.
Ai gjithashtu theksoi se nuk është nënshkruar ende një marrëveshje mes minatorëve dhe firmës ACR ndërsa shtoi se nëse nuk do të plotësohen kërkesat e tyre greva do të përshkallëzohet më tej duke mos përjashtuar edhe një mosbindje civile.
Nikolla gjithashtu theksoi se minatorët nuk do të pranojnë asnjë marrëveshje me firmën ACR përmes mediave por vetëm duke u ulur në tavolinë me përfaqësuesit e firmës.
“Për ne nuk është serioze që ne të kemi komunikimin përmes mediave dhe ne do ta hedhim poshtë një lloj komunikimi të tillë. Mund të arrijmë një marrëveshje vetëm në tavolinë. Nuk kërkojmë zgjidhje në konferenca për shtyp por vetëm këtu në Bulqizë” shtoi Nikolla.