E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të implikuarit në krime me karta agjentësh, paditet OJF-ja

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 01-08-2011 11:17

Tiranë- Ministria e Brendshme, prej disa muajsh është duke u përballur në Gjykatën e Tiranës me një OJF, e cila në emër të luftës kundër terrorizmit shpërndante karta agjentësh pwr persona tw skeduar. Në padinë kundër Qendrës Shqiptare të Studimeve të Luftës Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar, Ministria e Brendshme kërkon mbylljen e saj me pretendimin e ushtrimit të veprimtarisë antikushtetuese dhe antiligjore. Në gjyqin që është duke u shqyrtuar nga gjyqtarja Rezarta Vigani, Ministria e Brendshme paraqet rreth 12 episode të kundraligjshme, ku persona të cilët mbanin dokumenta të kësaj organizate, janë arrestuar nga policitë e shteteve të ndryshme si persona me precedentë kriminalë. Në këtë padi thuhet se qendra ka tejkaluar kompetencat duke përdorur siglat e Policisë së Shtetit dhe për rrjedhojë kërkohet shpërndarja e kësaj organizate.

Në listën e rasteve të paraqitura nga Ministria e Brendshme si shkelje, më flagranti është ai i kunatit të Dritan Dajtit, Ergest Xhoxhit, të cilit në momentin e arrestimit iu gjet me vete një dokument i tillë, i lëshuar nga kjo qendër. Po ashtu, pak kohë më parë në Holandë, një të kërkuari shqiptar për trafik droge dhe që më pas u kap në këtë vend për vrasje, iu gjet një dokument i ngjashëm. Gjithashtu, edhe në Elbasan, një personi iu kap dokumenti me të cilin prezantohej si agjent i infiltruar i Policisë së Shtetit. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në qytetin e Sarandës me një person që u kap duke kaluar kufirin. Edhe në Angli e Itali, autoritetet e këtyre vendeve kanë njoftuar homologët shqiptarë se kanë ndaluar shtetas, të cilët gjatë operacioneve të këtyre policive u janë sekuestruar dokumente të tilla. Në faqen e internetit të kësaj organizate përshkruhet me detaje aktiviteti i saj. Aty thuhet se: “Qendra Shqiptare e Studimeve të Luftës Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar” zbaton e mbron standartet e Shtetit Ligjor dhe Kushtetutën e Republikës, duke respektuar në filozofinë e vet të punës, parimet e profesionalizmit dhe demokracisë. “Qendra Shqiptare e Studimeve të Luftës Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar ka për mision të nxisë ndërgjegjësimin së bashkëpunimi dhe marrja e përgjegjësive nga të gjitha segmentet e shoqërisë, strukturat shtetërore e shoqërore dhe komunitetet është forma dhe strategjia kryesore e parandalimit të çdo lloj krimi. Gjithashtu ka si qëllim të nxisë, ndihmojë dhe koordinojë bashkëpunimin midis autoriteteve shtetërore dhe private të edukimit me publikun e gjerë për përcaktimin e prioriteteve në nivel komuniteti e më gjerë përmes kërkimit e studimit shkencor të dukurive kriminale, prirjeve sipas komuniteteve dhe llojshmërisë, për parandalimin e akteve terroriste dhe krimit të organizuar” – thuhet në faqen e internetit të kësaj organizate. Në të janë dhe foto të shumta të aktiviteteve të zhvilluar në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, ku bien në sy fotot me Ministrin Bujar Nishani dhe me ish-Ministrin Petro Koçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›