E Shtunë, 31 Tetor 2026

12 të vrarë pas një sulmi vetëvrasës në Peshavar

Një sulmues vetëvrasës ka vrarë sot prefektin anti-taleban të një fshati, si dhe 11 persona tjerë, pas sulmit të ndërmarrë në qytetin e trazuar pakistanez, Peshavar, kanë njoftuar zyrtarët.

Sulmuesi hodhi vetën në ajër, në momentin kur prefekti i fshatit Matni, Abdul Malik, vizitoi një treg të mbushur përplot me njerëz.

Së paku 12 persona janë vrarë, përfshirë këtu edhe një fëmijë, ndërsa 36 të tjerë janë plagosur, tha Mohammad Mukhtar, mjek në spitalin kryesor të Peshavarit.

Militantët islamikë kanë ndërmarrë një fushatë të sulmeve me bomba dhe të sulmeve vetëvrasëse, në shenjë hakmarrje kundër ofensivës së ushtrisë pakistaneze në provincën e Vaziristanit Jugor, në kufi me Afganistanin.

Ushtria ka njoftuar dje se gjatë luftimeve më të reja në Vaziristanin Jugor janë vrarë 20 militantë, duke e ngritur kështu në 478 numrin e militantëve të vrarë, që nga fillimi i ofensivës më 17 tetor.

Në të njëjtën periudhë kohore janë vrarë edhe 44 ushtarë. Nuk ka konfirmim të pavarur të këtyre shifrave, pasi që gazetarëve nuk ju është lejuar hyrja në zonën e luftës.

Aksioni i ushtrisë pakistaneze në Vaziristanin Jugor po vëzhgohet me kujdes nga ana e SHBA-së dhe fuqitë tjera perëndimore, të angazhuar në misionin në Afganistanin fqinjë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›