E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karzai premton luftë kundër korrupsionit

Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, i cili po përballet me trysninë e ashpër të partnerëve ndërkombëtarë për të pastruar administratën e tij, insistoi sot se në qeverinë e tij të re nuk do të ketë vend për zyrtarë të korruptuar.

Presidenti amerikan, Barack Obama dhe udhëheqësit tjerë ndërkombëtarë kanë kërkuar nga Karzai që të luftojë korrupsionin, pasi që ai u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale, të cilat u karakterizuan nga manipulimet.

Individët, të cilët janë të zhytur në korrupsion, nuk do të kenë vend në qeveri, tha Karzai.

Ai shtoi se edhe shtetet donatore mbajnë një pjesë të përgjegjësisë për korrupsionin gjithëpërfshirës, pasi që sipas tij ato nuk posedojnë sisteme të strukturuara për menaxhimin e projekteve.

Kemi një korrupsion serioz në zbatimin e këtyre projekteve. Dhe përgjegjëse për këtë korrupsion është bashkësia ndërkombëtare. Shpresoj se në bashkëpunim mes vete ne do të jemi në gjendje që të tejkalojmë këto sfida, tha Karzai.

Në ndërkohë, forcat e NATO-s vazhduan aksionin e kërkimit të dy ushtarëve amerikanë, të cilët u zhdukën javën e kaluar në provincën e Badghisit. Në provincën jugore, Helmand, militantët kanë vrarë një ushtarë britanik, njoftoi ministria britanike e Mbrojtjes.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›