E Diel, 1 Nëntor 2026

125 viktima nga sulmet në Indi, bota dënon ngjarjen

 

Liderët e të gjithë botës kanë dënuar sulmet terroriste në Indi, të cilat ende vazhdojnë në hotelin me pesë yje, Oberoi. Deri në orët e pasdites të shtënat kanë vazhduar në shkëmbimet mes policisë dhe terroristëve, të cilët duket se kanë inauguruar me këtë sulm një emër të ri në organizmin e sulmeve të tilla. Edhe pse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Mendohet se 25 terroristët e numëruar deri më tani, mbajnë emrin e organizatës së re terroriste "Deçan Mujahideen", e cila ka shpallur autorësinë e sulmeve të koordinuara në kryeqytetin indian, Mumbai (ish-Bombei). Sipas analizave të deritanishme thuhet se terroristët kanë hyrë në Indi në rrugë detare, madje ka edhe supozime se ata flasin me theks pakistanez. Marina indiane ka identifikuar një anije afër brigjeve të Mumbait, e cila mendohet se ka transportuar terroristët. Nga ora në orë shtohen dyshimet se terroristët kanë ardhur nga Pakistani. Numri i viktimave nga sulmet ka kapur shifrën 120, ndërsa mbi 320 njerëz të tjerë janë të plagosur. Rreth 100 turistë të huaj janë marrë peng, por një pjesë e mirë e tyre janë mundur të lirohen nga policia. Forcat speciale në vend kanë ndërmarrë sulme për të shpëtuar pengjet. Ka pasur edhe shkëmbi zjarri brenda hoteleve, madje edhe shpërthime të fuqishme. Presidenca franceze e BE ka parashikuar një takim në Mumbai mes 18 vendeve anëtare, që kanë konsullatë në këtë vend. Sipas "Times of India" rreth 200 persona janë ende të bllokuar në hotel. Papa Benedikti XVI ka apeluar për t'i dhënë fund dhunës dhe terrorizmit, pasi po shkatërrohet paqja dhe solidariteti human. Deri tani janë konfirmuar pesë viktima të huaja, një italian, një gjerman, një australian, një britanik dhe një japonez, pothuajse të gjithë biznesmenë. BE dhe SHBA kanë shprehur gatishmërinë për të dërguar ndihma. Ato e kanë dënuar mjaft ashpër sulmin terrorist. Spanja ka dërguar avionë për të evakuuar qytetarët e saj në Indi. Kryeministri britanik ka deklaruar se e ka të pamundur kontaktin me qytetarët e Britanisë në Mumbai dhe ka dërguar një skuadër speciale antiterrorizëm në vendngjarje. Një nga militantët ka bërë një telefonatë në TV, ku ka deklaruar se mund të ketë dialog me qeverinë, duke theksuar abuzimet e ushtrisë indiane në Kashmir.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›