Rama prezanton planin rregullues te shatërvani
Bashkia zgjedh sheshin "Skënderbej" për t'u prezantuar qytetarëve planin rregullues të Tiranës. Pikërisht aty ku më parë ka qenë shatërvani është ngritur një pavion publik, i cli do të jetë i hapur për të gjithë kryeqytetasit. Në këtë pavion, janë të ekspozuara të gjitha fazat, përmes të cilave ka kaluar Plani i Ri Rregullues. Këto ambiente u shfrytëzuan njëkohësisht, edhe për zhvillimin e mbledhjes së radhës së Këshillit të Rregullimit të Territorit të Tiranës. Anëtarët e KRRT morën në shqyrtim projektin e paraqitur. Sipas Ramës, plani është ende në vazhdim, pasi do të ecet më tej me studimin e transportit të integruar, me studimin ekonomik hapësinor, me rishikimin e strategjisë për mjedisin, në funksion të të gjithë treguesve që jep Plani i Ri Rregullues. Gjithashtu, ai do të plotësohet me master-planet lokale të zonave, duke filluar nga zonat prioritare në fazën e parë. Në fokus do të jenë edhe projektet teknike të skemës së rrjetit rrugor, duke filluar nga ai i Unazës. Plani i ri rregullues është i pari, që pas viteve 1990, i hartuar në bazë të një procesi të decentralizuar. "Dua të nënvizoj se me këtë prezantim mbyllet një odise e pashmangshme prej një sërë vitesh, që ishin vitet e një pune të panjohur më parë nga institucioni ynë, duke bërë që sot Tirana të jetë kryeqyteti i Shqipërisë edhe në drejtim të hapjes së një rruge të re, për planet e reja rregulluese të shumë qyteteve të tjera, duke pasur sot planin e parë të ri të epokës së re", tha kryebashkiaku Rama.