E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova zhgënjehet, opozita paralajmëron ndarjen e vendit

 

Kosova ka pësuar zhgënjim nga vendimi i Kombeve të Bashkuara për të mbështetur raportin e Ban Ki Mun, i cili e la misionin evropian, EULEX nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutës 1244. Ndërsa në Kosovë kanë nisur debatet në Parlament, ku opozita ka ngritur gishtin e akuzës kundër qeverisë për gjendjen politike të Kosovës sot, aleatët më të fortë ndërkombëtarë të Kosovës, SHBA dhe BE e kanë mbështetur miratimin e planit të Ban Ki Mun. Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në sesionin e së mërkurës të Këshillit të Sigurimit, Rozmari di Karlo, theksoi shqetësimet e ngritura nga autoritetet e Kosovës në deklaratën e tyre të 18 nëntorit. Por vlerësoi angazhimin për të mundësuar vendosjen e misionit EULEX. Di Karlo tha se SHBA kërkon që veprimet në të ardhmen të ndërmerren, duke respektuar plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke mirëpritur angazhimin e Sekretarit të Përgjithshëm për të vazhduar konsultimet dhe bashkërendimin me autoritetet në Prishtinë. Më pas Departamenti i Shtetit e vlerësoi planin e OKB. Edhe BE ka shprehur kënaqësinë për arritjen e një zëri të përbashkët në Këshillin e Sigurimit. "Ne mirëpresim rezultatet e debatit në Këshillin e Sigurimit. Kjo na lejon që të përgatitemi për aftësinë fillestare operacionale të EULEX-it në dhjetor", tha një zëdhënëse e Solanës. Ndërsa mediat komentojnë se ndarja e Kosovës në vija etnike tashmë do të thellohet, Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Fried, ka deklaruar se vendimi i KS-së të OKB-së për shtrirjen e EULEX-it në gjithë Kosovën është një goditje për ata që duan ndarjen e saj dhe është një hap për të konsoliduar një Kosovë të bashkuar. Por shqetësimi në Kosovë vazhdon. Institucionet e Kosovës thonë se 6-pikëshi mbetet i papranueshëm, ndërsa opozita konsideron se vendimet e fundit të KS-së do kenë pasoja të mëdha për funksionimin e shtetit dhe i paraprijnë ndarjes së brendshme të Kosovës. Zëdhënësi i Presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri, tha se Kosova mbetet e vendosur që ta kundërshtojë çdo qëndrim tjetër, që nuk e përfill Kushtetutën dhe planin e Ahtisarit. Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se me miratimin e gjashtëpikëshit ka filluar procesi i ndarjes së brendshme të Kosovës, duke e fajësuar lidershipin aktual.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›