Pjesa e dukshme dhe e padukshme e Kodit Zgjedhor
Blendi Çeka*
Ajo që mund të vihet re më tepër në debatet e fundit politike mbi Kodin Zgjedhor është pjesa e dukshme e tij, që ka të bëjë me administrimin e procesit të zgjedhjeve. Ndërkohë efektet e tij në natyrën e konkurrimit të partive politike, duket se përbëjnë pjesën më pak të dukshme të këtij kodi. Ajo çka do duhej ishte e kundërta, shumë më pak vëmendje për administrimin e zgjedhjeve dhe më tepër interpretim politik për efektet e kodit në konkurrim apo dhe vetë sistemit elektoral që do të zbatohet për herë të parë në Shqipëri.
Diskutimi mbi përkatësinë politike të anëtarëve të komisioneve që administrojnë zgjedhjet dhe refuzimi pothuaj njëzëri i përfaqësuesve të partive politike dhe ligjvënësve i komisioneve teknike, vërtetojnë tre tendenca të qëndrueshme tashmë në Shqipëri. Së pari, rezultati i zgjedhjeve nuk varet vetëm nga vota e qytetarëve, por dhe nga mënyra sesi administrohet procesi. Së dyti, garant për votën e çdo qytetari është komisioneri partiak dhe jo institucioni i KQZ-së apo frika e ndëshkimit nga ligji. Së treti, pranimi i mosfunksionimit të komisioneve teknike nga ligjvënës, me logjikën se nuk ka persona të pakontrolluar nga politika, nuk përkthehet ndryshe veç se partia është mbi ligjin, mbi institucionet, mbi shtetin. Thënë ndryshe, ligjvënësit tanë sot, në mënyrë indirekte pranojnë se pas '90-ës regjimi komunist ka ndryshuar formën, por jo përmbajtjen. Ky është tregues negativ për cilësinë e demokracisë në Shqipëri. Në këtë kontekst zhgënjimi i manifestuar prej aktorëve politikë deri më sot, nga raportet e ardhshme të BE-së për politizim të administratës apo mosfunksionim të plotë të shtetit ligjor, është i pajustifikueshëm.
Kodi Zgjedhor ka dhe një dimension tjetër shumë të rëndësishëm, por që nuk po merr vëmendjen e duhur politikisht. Ky dimension ka të bëjë me formulat e numërimit të votave të përdorura për garën ndërmjet koalicioneve - partive politike dhe për ndarjen e deputetëve brenda koalicioneve.
Sipas Kodit Zgjedhor do të përdoren dy formula numërimi. d'Hondt për garën e nivelit të parë ndërmjet grupimeve politike dhe Sainte-Laguw për ndarjen e deputetëve ndërmjet partive që janë pjesë e koalicioneve të majta apo të djathta.
Do të ishte interesante që hartuesit e kodit të tregonin cilit model nga vendet demokratike i janë referuar për aplikimin e formulave të kombinuara, nëse kjo nuk është thjesht një 'përkthim' shqiptar i numërimit të votave. Pra, përse nuk përdoret e njëjta formulë në të dyja rastet, pra ose d'Hondt për gjithë partitë konkurruese ose Sainte-Laguw? Dallimi ndërmjet të dy formulave është se përllogaritja e votave me d'Hondt favorizon formacionet e mëdha politike, ndërsa Sainte-Laguw ato të vogla. (SL me lista të mbyllura përdoret nga Norvegjia dhe Zelanda e Re, ndërsa me lista të hapura nga Suedia. d'Hondt me lista të mbyllura përdoret nga Japonia, Hungaria, Holanda, Izraeli, Spanja, ndërsa me lista të hapura nga Polonia, Belgjika).
Kombinimi në numërimin e votave që sjell Kodi i ri Zgjedhor e bën shumë të rëndësishme për një parti politike futjen në koalicione me partitë e mëdha, duke penalizuar forcat politike që qëndrojnë jashtë tyre. Për këto grupime politike jashtë koalicioneve në disa qarqe të vendit, sipas përllogaritjeve do të duheshin dy herë më shumë vota se një parti brenda koalicionit për të nxjerrë një deputet. Problemi thelbësor qëndron në vlerën e ndryshme të votës si njësi, në përcaktimin e kandidatëve fitues. Sigurisht që çdo sistem elektoral sjell një lloj disproporcioni në shpërndarjen e votave, por kjo ndodh në nivel nacional dhe jo brenda një njësie zgjedhore që përkon me qarkun në rastin tonë.
Formulat e kombinuara të numërimit gjithashtu krijojnë dhe një problem tjetër për grupimet e reja politike që mund të lindin gjatë kësaj periudhe ose më vonë. Duket se mënyra e vetme e përfaqësimit për to është të bëhen pjesë e koalicioneve me partitë e mëdha ekzistuese, duke e bërë pothuaj të pamundur ndryshimin e balancave të sotme politike dhe duke minimizuar natyrën proporcionale të sistemit.
*Pedagog i Shkencave Politike, Universiteti i Tiranës