E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri, Himni, Patriotët, Anarkikët

Martin Leka 

Flamuri që ngriti Ismail Qemali më 28 Nëntor 1912 në Vlorë nuk ishte i qëndisur ...nga Marigoja…". Eshtë kjo një frazë e shkëputur nga një bisedë, ndër të shumtat e zhvilluara herë pas here nëpër mediumet tona, të cilat, shpesh jo vetëm që nuk thonë ndonjë gjë të re, por përkundër, krijojnë një "kaos" informimi, duke u shndërruar në biseda me të vetmin interes, kuriozitetin... Mbase është normale që dëshmi të mbetura ende në kujtesë të shumë prej pasardhësve të protagonistëve të ngjarjeve të rëndësishme historike të mblidhen e të dëgjohen, por kjo ndoshta duhet me patjetër të kalojnë nëpër "laboratorët" e historianëve, të punonjësve të kualifikuar shkencorë të fushës, të cilët përgatitin "filtrin" historik për ne e pasardhësit tanë.
Sigurisht, duke pastruar pjesën ideologjike, prej të cilës nuk shpëtoi as historiografia jonë, historianët dhe të gjithë ata që me ngut duan të rishkruajnë historinë, nuk duhet të bien në të njëjtat pozita, atë të ideologjizimit apo të politizimit. Një gabim i dytë, do të ishte fatal për ne e brezat që vijnë.
Shembulli që sollëm në fillim të shkrimit nuk është i vetmi. Akti suprem i Mëvetësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 nuk mund të cenohet aspak nga fakti se cili flamur ishte ai që qëndisi Marigoja, ai që ishte në ballkon apo ai që shpalosi Ismail Qemali. Rëndësi ka që askush nuk duhet, që duke u rrekur të ndriçojë historinë, të zbehë thelbin, të qenësishmen. Nuk ka komb pa simbole dhe kush nuk do dhe respekton simbolet, nuk do dhe nuk respekton as kombin; as vetveten, sigurisht.
Kur luhej ndeshja e futbollit Shqipëri-Greqi, simbolika e saj i kaloi kufijtë e një loje sportive. Ishte koha kur Greqia sapo ishte bërë kampione e Evropës dhe të fitoje ndaj saj, ishte shumë më tepër se të fitoje të zakonshmen: tre pikë. Përveç kësaj, simbolika kishte të bënte edhe me faktin se në Greqi jetojnë rreth gjysmë milioni emigrantë shqiptarë, njëri prej të cilëve, për fat të keq, u vra pikërisht duke manifestuar me simbolin e vet kombëtar, flamurin, pas përfundimit të ndeshjes…
Përpara fillimit të ndeshjes, organizatorët ishin kujdesur për një detaj që më ka bërë përshtypje të gjatë. Në çdo karrige kishte një letër, në të cilin ishte shkruar teksti i Himnit Kombëtar Shqiptar?!... Përveç kësaj, gjithandej kishte grupe vajzash të veshura bukur me simbolet kuq e zi, të cilat të ofronin tekstin dhe porosinë për ta kënduar para fillimit të ndeshjes. Ky detaj më ka vënë në një dyzim të tmerrshëm mes diçkaje anormale dhe normale gjithashtu. Absurdi qëndron pikërisht në faktin se do të ishte një turp i madh që një njeri në moshë madhore të mos dijë Himnin e vet Kombëtar. Më vonë, duke ndjekur disa sondazhe të rastësishme, ku shumë të intervistuar nuk e kishin për gjë (për turp jo e jo) të thoshin se nuk e dinin Himnin Kombëtar, kam menduar se gjithsesi, organizatorët e ndeshjes së futbollit Shqipëri-Greqi, kishin vepruar drejt që kishin shpërndarë tekstin e shkruar të Himnit të Flamurit.
Edhe këtë shembull e solla pasi pashë një debat rreth këtij simboli, mes kompozitorit rumun dhe autorit të tekstit, Asdreni.
Gjëja më produktive do të mund të ishte kjo: pas shkronjës "A" të alfabetit, a mundet që shkollat tona t'u mësojnë nxënësve pikërisht "Rreth Flamurit të përbashkuar…"?! Me një dëshirë, me një qëllim: të bëhemi dhe të jemi një shoqëri dhe komb i civilizuar!
Si për rastësi, në ditët më simbolike kombëtare, është përfshirë në një debat mediatik njëri ndër simbolet më të rëndësishme, Heroi Kombëtar, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu. Edhe pse mitin e tij nuk mund ta zbehë askush, jo vetëm në Shqipëri e kudo ku jetojnë shqiptarë, por edhe më gjerë, sec' kanë dalë disa njerëz, studiues e kush e di se çfarë, të cilët i servirin opinionit "të reja" nga më të çuditshmet. Na thonë se Kastriotët kishin "trajtë greke"…, se Gjergj Kastrioti kishte "natyrë serbe"…, etj., etj. Ndonjë ditë nuk duhet të habitemi kur të na thonë se Skënderbeu nuk ka luftuar kurrë, por "ka qenë kamerier në një klub në Krujë dhe zotëronte të gjitha programet kompjuterike të sotme"?!...
Nuk e di, po ndoshta "rastësisht", simbolet shqiptare duan t'i zbehin disa "anarkistë", (edhe pse nuk munden), pikërisht në ditë të mëdha kombëtare e në përkitje të ngjarjeve të mëdha, siç është Pavarësia e Kosovës, etj. ?!...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›