Parlamenti irakian miraton paktin me SHBA
Parlamenti irakian ka miratuar dje paktin e tërheqjes së trupave ushtarake amerikane, i cili u jep atyre një afat qëndrimi deri në fund të vitit 2011, tetë vite pas pushtimit, që hoqi nga froni Sadam Huseinin dhe e çoi këtë vend në kaos. Sipas AFP, miratimi i paktit u bë 11 muaj pas negociatave të vështira mes SHBA-së dhe politikanëve vendas. Pakti u miratua nga 149 anëtarë të Kuvendit, prej 198 deputetëve, që ishin të pranishëm në seancën e Kuvendit me 275 anëtarë. Kjo do të thotë se qeveria shiite e drejtuar nga kryeministri Nuri al-Maliki pati sukses në fitimin e maxhoritetit të mjaftueshëm për të mbështetur marrëveshjen historike, që përfshin gjithashtu blloqet kryesore të minoritetit sunit dhe kurd në këtë vend. Presidenti amerikan Xhorxh Bush e përshëndeti miratimin e paktit, duke e quajtur si një marrëveshje historike. "Sot vota afirmon rritjen e demokracisë në Irak dhe zhvillimin e aftësisë për të siguruar veten", tha Bush duke shtuar se tashmë pret aprovimin e Këshillit presidencial irakian. Masa tregon se 150 000 trupat amerikane të vendosura në mbi 400 baza do të tërhiqen në përfundim të mandatit, në fund të vitit, duke i dhënë qeverisë irakiane fuqi vetoje mbi të gjitha operacionet.