13 300 emigrantë kanë hyrë në Kakavijë në 24 orët e fundit
GJIROKASTËR- Ka arritur pikun niveli i lëvizjeve në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, njëkohësisht edhe vendkalimi më i madh tokësor në vend. Qysh prej mesnatës së të premtes e përgjatë gjithë ditës, fluksi i hyrjes së emigrantëve shqiptarë në këtë pikë ka qenë shumë i lartë, çka ka bërë që të krijohen radhë.
Lëvizjet
Rreth 13 300 emigrantë llogaritet të kenë hyrë në territorin shqiptar përmes pikës së kalimit kufitar të Kakavijës brenda harkut kohor të 24 orëve të fundit. Numri mjaft i lartë i hyrjeve të shtetasve, i automjeteve dhe autobusëve kanë bërë që veçanërisht në orët e para të mëngjesit dhe përgjatë paradites të krijoheshin radhë pritjeje, të cilat në tokën greke kanë arritur edhe në 2 kilometër të gjata.
Burime zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit kanë pohuar se vetëm brenda harkut kohor të 12 orëve kanë ardhur nga ky vendkalim 11 700 shtetas shqiptarë dhe të huaj, si dhe 2 800 automjete shqiptare dhe të huaja, një fluks ky që konsiderohet i jashtëzakonshëm. Ndërkohë vetëm në orët e mëngjesit janë përpunuar rreth 85 autobusë, të cilët kanë gjithmonë përparësi në periudha fluksesh.
Pala shqiptare ka punuar përgjatë së premtes me 11 sportele në hyrje dhe me efektivë shtesë, ndërsa ajo greke vetëm me 3 sportele, por ka aplikuar procedura të thjeshtuara të daljes nga territori i këtij shteti për të përshpejtuar lëvizjet. Ndërkohë, emigrantët kanë qenë të detyruar të presin në temperatura të ulëta, me fëmijë e të moshuar në automjetet e tyre për disa orë me radhë.
Pritja e gjatë në tokën greke deri në përfundimin e të gjitha procedurave të zakonshme kufitare, ka bërë që emigrantët shqiptarë që vijnë për të kaluar pushimet të ndidhen të lodhur, të mërzitur e të zhgënjyer.
"Çdo vit premtohet se herën tjetër do të jetë më mirë, por gjithmonë është e njëjta gjë. Duhet të presim patjetër për orë të tëra në radhë",- shprehen emigrantët. Ndërkaq, fluksi i lartë ka shoqëruar gjithë ditën e djeshme.
Ndërkohë informacionet e marra në lidhje me procesin e ardhjes së emigratëve tregojnë se vetëm gjatë 8 ditëve të fundit kanë hyrë në territorin shqiptar rreth 65 mijë emigrantë.