Masakrimi i 15-vjeçares, i dashuri: Më tha se donte dikë tjetër
VETËDORËZIMI/ Ardit Lushi është paraqitur dje në policinë e Tiranës, ku ka pranuar fajin dhe është transportuar për në Vlorë
TIRANË - Vetëdorëzohet rreth 24 orë pasi masakroi me thikë të dashurën e tij. 21-vjeçari Ardit Lushi nga Kukës, banor i Spitallës së Durrësit, është paraqitur në një nga komisariatet e policisë në kryeqytet pasi qëlloi 15 herë me thikë të dashurën e tij 15-vjeçare, në qytetin e Vlorës.
Burime nga policia bëjnë të ditur se i riu e ka pranuar autorësinë e tentativës për vrasje të së miturës, teksa është shprehur se shkak ka qenë fakti se në kohën që ka folur me të dashurën e tij, ajo i ka pohuar se nuk e donte më, pasi donte dikë tjetër.
Dëshmia
Ardit Lushi është transportuar nga uniformat blu për në Vlorë mbrëmjen e së premtes, teksa paraprakisht kishte deklaruar në Tiranë, atje ku dhe u vetëdorëzua se ishte ai autori i krimit të kryer ndaj 15-vjeçares nga Vlora. "Unë e kam qëlluar. - mësohet të ketë deklaruar 21-vjeçari, teksa më pas ka sqaruar se vajza, e cila aktualisht ndodhet në spital në gjendje të rëndë, ishte e dashura e tij.
Lushi është shprehur se ai kishte shkuar për ta vajzën me të cilën ishte lidhur dhe se në momentin që ishin takuar ajo i kishte thënë se tashmë ishte e dashuruar me një tjetër.
Kjo kishte bërë që ai të reagonte menjëherë, duke e qëlluar me thikë në të gjithë trupin dhe më pas duke u larguar. 21-vjeçari është larguar nga Vlora, ndërsa vetëm një ditë më pas është vetëdorëzuar në Tiranë, teksa ishte shpallur në kërkim nga policia e qytetit bregdetar për veprën penale të "vrasjes së mbetur në tentativë". Mësohet se djalit nuk i është gjetur arma e krimit. I riu do të hetohet nga prokuroria e Vlorës.
Adoleshentja
Ndërkohë 15-vjeçarja ndodhet ende në spitalin e Vlorës në gjendje të rëndë shëndetësore. Ditën e enjte ajo iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, ku hoqi njërën veshkë dhe vijon të ketë probleme edhe me mushkëritë.
Minorenia u qëllua rreth 15 herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa mendohet të ketë dalë nga rreziku për jetën dhe ndodhet në repartin reanimator të spitalit rajonal të Vlorës.
Ngjarja
Gjithçka ndodhi ditën e enjte në mesditë. 15-vjeçarja, e cila jetonte vetëm me të atin, pasi i kishte prindërit e divorcuar, ndodhej në shtëpi e vetme nëkohën që 21-vjeçari, me të cilin ajo kishte një lidhje ka mbërritur atje.
Një debat i lindur mes dy të rinjve, ku e reja ka deklaruar se donte të ndahej prej tij, pasi tashmë donte dikë tjetër, ka bërë që Ardit Lushi të përdorte thikën, duke i shkaktuar dëmtime në veshkë e mushkëri, si dhe në pjesë të tjera të trupit. Më pas ai është larguar.
Mbrëmjen e djeshme pritej edhe mbërritja e të riut në Vlorë dhe marrja në pyetje prej oficerëve të policisë gjyqësore për të marrë të plotë dëshminë e Lushit e po kështu edhe të vajzës, e cila ndodhet në reanimacion.