E Diel, 1 Nëntor 2026

Pagjumësia, emigranti humb jetën në një aksident

KTHIMI I EMIGRANTËVE/ Paulin Gjergji, 41 vjeç, ka ndërruar jetë në një aksident në aksin Tepelenë-Ballsh

TEPELENË- Po kthehej nga Greqia për të kaluar pranë familjes festat e fundvitit, por ka humbur jetën gjatë një aksidenti automobilistik, ndërkohë që është zbuluar vetëm 12 orë më pas, nga një rojë që punonte pranë vendit të aksidentit. 41-vjeçari Paulin Gjergji ka ndërruar jetë në orën 01:00 të mëngjesit të së premtes.

Burime zyrtare të policisë së qarkut të Gjirokastrës, bëjnë të ditur se një 41-vjeçar nga Mirdita ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa automjeti me të cilin udhëtonte, doli nga rruga. Ngjarja ndodhi orët e para të ditës së premtes në aksin kombëtar Tepelenë- Ballsh, në vendin e quajtur "Gurorja e Vasiarit- Mogila", ndërsa është konstatuar rreth 12 orë më pas.

Mësohet se automjeti tip "Honda", me targa YAB 7756, me drejtues shtetasin Paulin Gjergji, lindur dhe banues në Mirditë, ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga ura, duke u përmbysur poshtë saj.

Si rrjedhojë ai ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
"Si pasojë e daljes nga rruga të automjetit, ka gjetur vdekjen drejtuesi i tij, i cili udhëtonte i vetëm në këtë automjet nga Athina për në Mirditë.

Nga veprimet e kryera nga grupi hetimor rezultoi se shkaku i kësaj daljeje nga rruga ka qenë pagjumësia dhe lodhja e tepërt",- thuhet në komunikatën zyrtare për shtyp për këtë ngjarje.

Ndërkaq, verifikimet e mëtejshme kanë treguar se aksidenti ka ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjesit, por duke qenë se automjeti kishte rënë poshtë urës dhe pamja ishte e kufizuar për t'u identifikuar nga drejtuesit e tjerë të automjeteve apo dhe nga policia, konstatimi është bërë rreth 12 orë më vonë nga një qytetar, i cili ishte rojë në guroren pranë së cilës ndodhi aksidenti.

Kthimi i emigrantëve çon gjithnjë në një rritje të aksidenteve në vend. Lodhja, pagjumësia, shpejtësia me të cilën lëvizin mjetet, si dhe mosrespektimi i rregullave, janë vetëm disa nga shkaqet e kryerjes së aksidenteve nga emigrantët gjatë kthimit të tyre në atdhe.

Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ndërkohë janë marrë masa për shtimin e kontrolleve në rrugët e vendit, për të bërë të mundur parandalimin e këtyre aksidenteve.

Gjatë muajve korrik-gusht, ku numri i aksidenteve me pasojë vdekjen ishte shumë i lartë, një grua nga Berati, emigrante, humbi jetën pasi humbi kontrollin e mjetit për shkak të pagjumësisë.

Fluks i lartë i hyrjeve në vend

Burimet zyrtare të policisë së shtetit bënë të ditur se në vendin tonë, që nga ora 08:00 - 14:00 e ditës së premte kanë hyrë 13149 shtetas, prej të cilëve 11 333 shtetas shqiptarë dhe 1816 të huaj. Gjithashtu kanë hyrë edhe 3821 mjete. Fluksin më të madh në lëvizje mësohet ta ketë pasur qarku i Gjirokastrës, e përkatësisht pika e Kakavijës, ku vetëm për 6 orë janë futur në Shqipëri 3465 shtetas. Fluksi i lëvizjes vijon të jetë i lartë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›