E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgu i Shkupit, përplasje me Ambasadën Shqiptare

Transferimi i disa të dënuarve shqiptarë nga Maqedonia shkakton debate. Avokati i Popullit sugjeron sjelljen e tyre në Shqipëri

SHKUP- Tetëmbëdhjetë shtetas nga Shqipëria, të dënuar për vepra të ndryshme penale nga Gjykata Maqedonase e që vuajnë dënimet në institucionin e burgut të Idrizovës në afërsi të Shkupit, janë "harruar" nga shteti shqiptar.

Sipas zyrtarëve të lartë të administratës së burgut më të madh të Maqedonisë, Shqipëria nuk është e interesuar për t'i kthyer në vendlindje të burgosurit shqiptarë.

Prandaj, të 18 të dënuarit mbeten në qelitë e burgut të Idrizovës, pa mundur të gëzojnë një sërë të drejtash e lehtësimesh që u takojnë me ligj, nëse dënimin do ta vuanin në vendin e lindjes.

Nga ana tjetër, Ambasada Shqiptare në Shkup i ka përgënjeshtruar deklaratat e zyrtarëve të burgut dhe ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për refuzim, por, për pamundësi për t'i pranuar të burgosurit, për shkak të mungesës së kapaciteteve në burgjet e Shqipërisë. Udhëheqja e burgut të Idrizovës, transferimin e shtetasve të Shqipërisë për t'i vuajtur dënimet në vendlindje e konsideron si përfitim të dyfishtë.

Nga njëra anë, transferimi do t'iu mundësonte të dënuarve shqiptarë t'i gëzojnë të drejtat që i takojnë një të burgosuri. Duke qenë në vendlindje, 18 të dënuarve u mundësohen vizita më të shpeshta të familjarëve, shfrytëzim të pushimeve dhe lehtësime të tjera, të cilat nuk mund t'i shfrytëzojnë duke vuajtur dënim në vend të huaj.

Nga ana tjetër, me transferimin e të dënuarve shqiptarë do të liroheshin 18 vende në këtë burg, i cili rezulton se është i stërmbushur.

"Shqipëria, ashtu si edhe Kosova, nuk janë të interesuar për t'i kthyer në vendlindjet e tyre shtetasit e saj të dënuar për vepra të ndryshme penale në Maqedoni"-tha drejtori i burgut të Idrizovës Mile Mladenovski.

Ndërkohë, Ambasada Shqiptare në Shkup ka sqaruar se pengesat për transferimin e shqiptarëve në vendlindje janë të natyrës teknike dhe se nuk bëhet fjalë për refuzim. "Problemi i vetëm është mungesa e vendeve të lira në burgjet e Shqipërisë, por megjithatë në vazhdimësi jemi duke punuar në drejtim të kthimit të të burgosurve shqiptarë në vendlindje. Nuk ekzistojnë pengesa ligjore.

Ka vullnet për t'i ndihmuar të dënuarit që gjenden në Idrizovë, që pjesën e mbetur të dënimit ta kalojnë në burgjet e Shqipërisë. Momentalisht janë duke u proceduar disa kërkesa dhe shpresojmë se gjatë vitit të ardhshëm, një pjesë e të burgosurve të transferohen në Shqipëri"-tha ambasadori Arben Çeku.

Me rastin e festave të fundvitit, ambasadori shqiptar, i shoqëruar nga disa punonjës të ambasadës, do t'i vizitojë të burgosurit nga Shqipëria që gjenden në Idrizovë dhe përveç përkrahjes morale, do t'u ndajnë nga një pako dhuratë për festën e Vitit të Ri. 18 shtetasit e Shqipërisë që vuajnë dënim në burgun e Idrizovë janë dënuar për vepra të rënda penale, si vrasje, grabitje, trafik armësh, trafik klandestinësh e vepra të tjera penale.

Gjithashtu, pak ditë më pare, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, me anë të një rekomandimi i kërkon Ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani, të shpejtojë procedurat e transferimit të 9 shqiptarëve të dënuar në Maqedoni për transferimin e tyre në Shqipëri si dhe të dy shqiptaro-maqedonasve të dënuar në Shqipëri për "trafik droge" që të transferohen në Maqedoni.

Sipas kërkesës së Dobjanit, mos transferimi i tyre tashmë është bërë një problem dhe neglizhohet nga Ministria e Drejtësisë. Vetë të dënuarit shqiptarë dhe ata maqedonas kaun kërkuar të transferohen në vendlindjet e tyre, por kërkesat kanë mbetur pa përgjigjie.

Shqiptarët që kërkojnë të transferohen në Shqipëri
Shkëlqim Garip Halili, ka bërë dy kërkesa për transferim, në vitin 2001 dhe në vitin 2007
Shkëlqim Byslim Krasniqi, ka bërë kërkesë në vitin 2007
Zini Arif Ferati, ka bërë kërkesë në vitin 2005
Milazim Rufat Dida, ka bërë kërkesë në vitin 2007
Nildet Fuat Meçkai, ka bërë kërkesë në vitin 2008
Petrit Pasko Gjika, ka bërë kërkesë në vitin 2007
Jonuz Braim Mazreku, ka bërë kërkesë në vitin 2007
Elvis Hila, ka bërë kërkesë në vitin 2007
Gentijan Gjona, ka bërë kërkesë në vitin 2008

Maqedonasit që kërkojnë të transferohen në Maqedoni
Blerim Fejzullahu ka bërë kërkesë më 14 gusht 2008
Habib Rexhepi, ka bërë kërkesë më 12 qershor 2008

Agjencia "Koha.net"

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›