E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset 27-vjeçari, tre të rinj në kërkim

ELBASAN - Plagoset me armë zjarri një 27-vjeçar, ndërsa policia ka shpallur në kërkim tre të rinj. Ngjarja u regjistrua në orët e para të mëngjesit të Krishtlindjeve në afërsi të markatës kryesore të qytetit të Elbasanit.

Burime nga policia bëjnë të ditur se të rinjtë kanë qenë në një lokal aty pranë, ku dyshohet se ka qenë edhe vendi ku ka lindur sherri që më pas është zgjidhur në rrugë. Kështu, si pasojë e një të shtëne është plagosur rëndë shtetasi Julian Piu, 27 vjeç.

Pasi është transportuar në spitalin kirurgjik, mjekët kanë këshilluar transportin e tij drejt spitalit ushtarak për një mjekim më të specializuar. Ndërkohë, agjentët kanë shpallur në kërkim tre autorët e mundshëm të ngjarjes. Sipas burimeve zyrtare, janë shpallur në kërkim shtetasit Gjergji Verushi, Sokol Sanxhaktari dhe Mirian Dedja.

Ende nuk është sqaruar se kush prej tyre është autori i plagosjes me armë. Sipas policisë vazhdojnë kërkimet për kapjen e tre të rinjve, të cilët duke pëfituar nga koha e mëngjesit, kanë mundur të largohen.

Mësohet se nuk ka pasur dëshmitarë të ngjarjes. I vetmi që mund të sqarojë rrethanat, është 27-vjeçari i plagosur. Ndërkohë, sipas informacioneve të grumbulluara nga agjentët ,gjithçka ka lindur brenda një lokali ku kishin qëndruar të rinjtë deri në atë kohë, për të vazhduar në rrugë. Nga policia është bllokuar një gëzhojë, si dhe po verifikohet lloji i armës së përdorur.

Drejtues të policisë bëjnë të ditur se janë duke u kontrolluar të gjitha vendet e mundshme ku mund të jenë fshehur të dyshuarit. Ndërkohë, pritet përmirësimi i të plagosurit për të hedhur më shumë dritë rreth autorit të ngjarjes dhe shkaqeve që sollën krimin. B.Nergjoni

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›