E Shtunë, 31 Tetor 2026

13 ankesat kryesore te mijerera ushtarakeve pranë instititucionit te Avokatit të Popullit

Avokati i Popullit depoziton në Kuvend raportin për vitin 2008. Tri javë para anëtarësimit në NATO, ushtarakët në gjendje të vështirë

Eljona Ballhysa
Institucioni i Avokatit të Popullit ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë raportin për vitin 2008. Në këtë raport mbizotëron problematika për shtresat në nevojë. Në rapor bie në sy numri i lartë i ankesave të shtresës së ish-ushatarakëve. Sipas raportit, gjatë vitit 2008, ish-ushtarakët kanë paraqitur 144 ankesa dhe kërkesa drejtuar Avokatit të Popullit për plotësimin e të drejtave të tyre. Në një kohë kur Shqipërinë e ndajnë vetëm disa javë për t’u anëtarësuar me të drejta të plota në NATO, kategoria e ushtarakëve dhe ish-ushtarakëve përballet me kushte të vështira pune, mungesë ushqimesh, veshmbathjesh, strehimi, si dhe me një pagë financiare të ulët.
Ankesat
Ushtarakët janë ankuar pranë Avokatit të Popullit për mobilizim në shërbimin ushtarak në kundërshtim me ligjin; për pensionin suplementar të ushtarakëve të FA-së; për mosdhënie të gradës sipas ligjit; për mosstrehimin e ushtarakëve; për mënyrën e trajtimit me ushqim; për moszbatimin e normave të veshmbathjes; për shërbimin shëndetësor; për kohën e punës dhe të pushimit; për moskompensim të qirasë së banesave; për pensionet e ulëta të ushtarakëve të dalë në rezervë para vitit 1992; për moszbatimin e ligjit për daljen e ushtarakëve në rezervë. Përsa i përket çështjes së strehimit, Avokati i Popullit vëren se fondi i vënë në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes për të përballuar nevojat dhe kërkesat e ushtarakëve është i pamjaftueshëm. Gjatë vitit 2008, fondi ka qenë 100 milionë lekë. Pikërisht Avokati i Popullit ka sugjeruar rritjen e fondit të kredisë për strehim për ushtarakët e Forcave të Armatosura. Pas ndërhyrjes së Avokatit të Popullit, për kompensimin e qirasë së banesave, shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka nxjerrë urdhrin për ngritjen e një komisioni të posaçëm për testimin e tregut të qirave të banesave. Bashkë me Ministrinë e Financave u ra dakord lidhur me vlerën e qirasë dhe në të njëjtën kohë u miratua fondi prej 85 milionë lekësh për të përballuar qiranë e banesave. Avokati i Popullit njofton se nga ky fond kanë përfituar 500 ushtarakë aktivë.
Strehimi
Përsa i përket strehimit të ushtarakëve, Avokati i Popullit ka sugjeruar qeverinë që të miratojë vendimin për përcaktimin e kritereve të përfitimit nga ushtarakët të së drejtës së parablerjes për objektet bashkë me trojet që kanë dalë të lira nga rikonstruktimi i FA-së dhe që mbeten pronë shtetërore për nevojat për strehim. Avokati i Popullit me shqetësim vëren se dalja e këtij vendimi ishte parashikuar 12 muaj pas miratimit të ligjit për statusin e ushtarakut të FA-së, por ndonëse ka kaluar një kohë e gjatë, rreth katër vjet që ligji ka hyrë në fuqi, një vendim i tillë ende nuk ka dalë. Avokati i Popullit ka trajtuar gjatë vitit 2008 një sërë ankesash për shërbimin e detyruar ushtarak nga familje me një situatë të vështirë financiare. Pas ndërhyrjes së institucuionit të Avokatit të Popullit, këta persona kanë ndërprerë shërbimin e detyruar ushtarak. Një sërë problemesh lidhen edhe me mungesën e shërbimit shëndetësor në repartet ushtarake. Në raportin e tij, Avokati i Popullit thekson se pas ndërhyrjes së tij janë marrë masa për përmirësimin e gjendjes në disa reparte.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ish-ushtarakët

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i ndan në dy kategori ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm për efekt të përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi: në ushtarakë që kanë dalë në pension deri më 29.4.2004 (data e hyrjes në fuqi të Ligjit Nr.2910, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”) dhe në ushtarakë që kanë dalë në pension pas datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji. Për të dyja këto kategori, ligji i ndryshuar, ashtu edhe ai i mëparshëm, u njeh të gjithë ushtarakëve të drejtën e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 50 për qind të pagës referuese, duke shtuar 2 për qind të kësaj page për çdo vit vjetërsie në shërbim mbi vjetërsinë prej 15 vjet për meshkujt e 12 vjet për femrat. Por përsa i përket maksimumit të kësaj pagese, ligji i ri bën ndryshime esenciale në raport me Ligjin Nr. 9418, datë 20.5.2005. Ndërsa me ligjin e mëparshëm pagesa e pensionit shkonte deri në katërfishin e pensionit bazë në shkallë vendi, me ligjin e ri ulet pagesa e pensionit të parakohshëm për ushtarakët e dalë në pension deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit për statusin. Për këta ushtarakë, kjo pagesë shkon deri në masën e pensionit maksimal në shkallë vendi, e barabartë me dyfishin e pensionit bazë. Përsa u përket ushtarakëve të dalë në pension të parakohshëm pas hyrjes në fuqi të ligjit për statusin, maksimumi i pagesës jepet i diferencuar sipas gradës dhe shumë më i favorshëm nga ajo që u jepet ushtarakëve që kanë dalë në pension para ligjit për statusin. Sipas ligjit, periudha 1.10.1993-31.12.1998 u njihet ushtarakëve si periudhë sigurimi për efekt të pensionit të pleqërisë kur ata plotësojnë kushtet për këtë pension, duke i ndarë në dy kategori: në ushtarakë që kanë përfituar pension të parakohshëm ngaqë e kishin vjetërsinë si ushtarakë, të cilëve do t’u derdhet kontribut për aq vite sa u nevojiten për efekt të përfitimit të pensionit të plotë të pleqërisë dhe në ushtarakë që nuk kanë përfituar pension të parakohshëm ngaqë nuk e kishin vjetërsinë si ushtarakë, të cilëve kontributi në sigurimet shoqërore nuk u derdhet për gjithë periudhën 1993-1998, por vetëm për dy vjet për burrat dhe tre vjet për gratë.

Përfitimet e ish-ushtarakëve sipas vendimit të Kushtetueses

Heq diferencimin që bënte vendimi i qeverisë për trajtimin financiar të ushtarakëve sipas kohës së lirimit, në përfitimin e pensioneve të parakohshme, duke i trajtuar ata në mënyrë të barabartë, sipas kontributit të secilit.
Ushtarakët në rezervë, në bazë të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kanë të drejtën e dypunësimit, një e drejtë që u ishte mohuar.
Kur ushtarakët në rezervë mbushin moshën e pensionit të pleqërisë, nuk do t’u ulet masa e përfitimit financiar që përfitojnë.
Ushtarakëve që kanë dalë në rezervë nga 01.10.1993 deri më 31.12.1998 do t’u njihet pensioni mbi bazën e pagës referuese (kontributet e paderdhura do të derdhen nga shteti) e jo sipas vendimit të qeverisë që u jepte pensionin mbi pagën minimale.
Në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përfitimet financiare për ushtarakët nuk fillojnë më 16 prill 2006, por nga 1 janari i vitit 2006.

14 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›