Vjetërsia në punë. Ndjekje penale per ndërmarrjet që nuk dorëzojnë dokumentacionin
Jonida Tashi
Ndërmarrjet që zotërojnë dokumentacionin e vjetërsisë në punë, por nuk e dorëzojnë atë në Institutin e Sigurimeve Shoqërore do të ndiqen penalisht. Penalizmi i subjekteve që nuk dorëzojnë dokumentacionin bëhet i ditur nga drejtuesit e Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë. Për këtë, nëndrejtori i ISSH-së, Ali Emini, konfirmon: “Do të çojmë në ndjekje penale ato subjekte që i kanë dokumentet, por nuk i dorëzojnë”. Sipas tij, mungesa e këtyre regjistrave është vërtet një problem serioz edhe për ISSH-në, e cila po krijon arkivin qendror, ku do të ruhen të gjitha dokumentet e vjetërsisë së punës të të gjithë shqiptarëve. Sipas specialistëve të ISSH-së, mosdorëzimi i dokumenteve nga ndërmarrjet është një çështje pak e komplikuar, sepse një pjesë e dokumenteve, sipas tyre, janë në duart e likuidatorëve, ndërkohë që një pjesë edhe janë djegur.
Të dhënat
Nga të dhënat e ISSH-së rezulton se janë rreth 70 ndërmarrje që funksiononin në kohën e diktaturës, por që ende nuk i kanë dorëzuar këto regjistra, duke humbur kështu vitet e punës për qindra punëtorë shqiptarë. Të gjendur përballë kërkesës së qytetarëve për gjetjen e viteve të punës që ata kanë në këto ndërmarrje, ISSH-ja ka kërkuar që vetë këta shtetas të dorëzojnë dokumentet që kanë. Vetëm pak vite pas ndryshimit të sistemit politik në Shqipëri, shumë ndërmarrje shtetërore u mbyllën, ndërsa një pjesë e tyre u privatizuan. Menjëherë pas fillimit të mbylljes së këtyre ndërmarrjeve, qeveria nxori një vendim të posaçëm për dorëzimin e dokumentacionit të vjetërisë në punë në arkivat vendorë. Por edhe pse kanë kaluar 18 vjet, rreth 70 ndërmarrje që funksiononin në kohën e diktaturës ende nuk i kanë dorëzuar këto regjistra.
Vendimi
Sipas Vendimit nr. 42, datë 13.1.1997 “Për dokumentacionin e periudhës së sigurimit (të vjetërsisë në punë) dhe plotësimin e dokumenteve në rrugë gjyqësore”, dokumentacioni i periudhës së sigurimit për anëtarët e ish-kooperativave bujqësore, të administruara më parë nga komunat, do të administrohet nga agjencitë dhe degët e sigurimeve shoqërore në rrethe, nëpërmjet punonjësve të tyre në komuna dhe bashki. Ndërmarrjet dhe institucionet buxhetore e jobuxhetore, të cilat kanë ndërprerë aktivitetin e tyre (dhe nuk e kanë dorëzuar dokumentacionin në arkivat e rretheve), ose janë drejt mbylljes, duhet të bëjnë azhornimin e plotë të dokumentacionit të periudhës së sigurimit të punonjësve, duke përputhur listë-pagesat, regjistrat themeltarë dhe librezat e punës, brenda datës 1.4.1997. Një ditë më pas, librezat e punës duhet t’u jepeshin punonjësve përkatës, ndërsa regjistrat themeltarë depozitohen në organet e sigurimeve shoqërore me procesverbale të rregullta. Në ndërmarrje, institucione, shoqëri tregtare dhe persona të tjerë juridikë, kur aktet që vërtetojnë vjetërsinë në punë, saktësinë e pagës, llojin e punës dhe aksidentin në punë janë zhdukur, kanë humbur dhe nuk mund të bëhen përsëri ose nuk mund të merren në ndonjë rrugë tjetër, personi i interesuar ka të drejtë të kërkojë që këto fakte të vërtetohen në rrugë gjyqësore në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Civile.
Qeveria rrit përfitimet për paraplegjikët dhe tetraplegjikët
Këshilli i Ministrave miratoi dje një paketë vendimesh për trajtimin e kategorisë së invalidëve, paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Duke prezantuar këtë paketë, kryeministri Berisha tha se me ndryshimet e miratuara në trajtimin e këtij kontingjenti rritet me mbi 60 për qind trajtimi i tyre, krahasuar me vitin 2005. Si pjesë e kësaj pakete, qeveria miratoi vendimin për rritjen e masës së mbulimit të shpenzimeve të paketës së materialeve higjieno-sanitare në masën 16 mijë lekë në muaj, nga 12 mijë lekë që është aktualisht. Gjithashtu, pjesë e ndihmës ndaj tyre është edhe akordimi falas të sasisë prej 80 litra naftë në muaj, e barabartë me sasinë që u akordohet deputetëve të Kuvendit. Kryeministri u shpreh se qeveria e konsideron plotësisht të drejtë kërkesën e tyre që personi kujdestar të gëzoj sigurimin shoqëror dhe ofron për këta persona pensionin bazë minimal të qytetit.
Licencat, së shpejti në njësitë vendore
Pritet që procesi për marrjen e licencave për ndërtim dhe transport do të thjeshtohet më tepër tani që ka kaluar për llogari të njësive vendore në vend. Kjo është arritur falë një projekti të Bashkimit Europian me disa shoqata të njësive vendore, i cili ka si synim thjeshtimin e procedurave për marrjen e licencave. Fillimisht, projekti është vendosur në 3 njësi vendore, një bashki, një komunë dhe një qark, për t’u zgjeruar më pas dhe në 22 njësi të tjera vendore. Projekti 2-vjeçar i zbatuar në këto njësi vendore ka rezultuar i suksesshëm. Sipas Albert Brojkës, drejtues i grupit të ekspertëve, projekti ka qenë i ndarë në tri faza. Së shpejti të gjitha rezultatet e projektit do t’u shpërndahen dhe njësive të tjera vendore në mënyrë për të thjeshtuar edhe më shumë procedurat e dhënies së licencave.
13 Mars 2009