E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, grabitet biznesmeni grek

 

DURRES / OERD ULQINI

"Më jep paratë shpejt, pasi të hoqa qafe!". Me një armë të ftohtë në dorë dhe me një greqishte të çalë, grabitësi ia ka dalë mbanë të vjedhë një prej sipërmarrësve më të dëgjuar në Durrës. Pronari grek i shoqërisë "Teknometal sh.p.k" nuk ka bërë as rezistencën më të vogël. Ai është treguar tepër gjakftohtë dhe i matur, por me t'u larguar grabitësi ka nxituar të kallëzojë ngjarjen në polici. Burimet saktësuan se 49-vjeçari i huaj, Panajotis P., që prej rreth 10 vitesh kishte ngritur biznesin e tij në Sukth, ka rënë pre e dhunës në orët e para të mëngjesit. Në pranga ka përfunduar autori i grabitjes së bujshme, 45-vjeçari Ibrahim Zeza, i skeduar edhe më parë nga policia për krime kundër personit. I armatosur me një thikë në dorë, Zeza i ka marrë nga duart valixhen shtetasit grek, duke menduar se brenda saj ndodheshin rrogat mujore të 20 punëtorëve. Grabitësi ka vepruar i vetëm. Ai e njihte mirë aktivitetin e grekut dhe rrugën që të çonte te sipërmarrja e tij. Në orën 09:00 të mëngjesit, Zeza ka "mbirë" befas në rrugën e ngushtë, duke e kërcënuar me jetën pronarin e "Teknometal sh.p.k". 49-vjeçari nga Greqia nuk ka bërë as rezistencën më të vogël, duke i dorëzuar valixhen që mbante në dorë. Por bilanci i grabitjes ka zhgënjyer keqbërësin, pasi në të gjendeshin vetëm 15.000 lekë dhe disa sende të tjera personale. Burimet saktësuan se greku i kishte dhënë rrogat e punëtorëve përpara afatit. Në këtë mënyrë grabitësi kishte dalë duarbosh. Por, pavarësisht kësaj rrethane që ka të bëjë me bilancin ekonomik të grabitjes, policia është vënë në alarm të kuq, pasi ishte vënë në diskutim siguria e investitorëve të huaj. Brenda pak orësh është bërë i mundur identifikimi dhe arrestimi i autorit, Ibrahim Zeza, banor i fshatit Rubjekë të Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›