Berisha feston ditëlindjen në avion
Kryeministri Sali Berisha ka festuar ndryshe nga herët e tjera ditëlindjen e 64-t. Kreut të qeverisë i është dashur të marrë urimet e ditëlindjes në avion teksa udhëtonte për në Bruksel ku do të merrte pjesë në samitin e Partive Popullore Evropiane. Duke folur në një prononcim për mediat në përfundim të takimit me homologët evropianë, kreu i qeverisë tha se nuk kishte gjë më të bukur se sa të festonte ditëlindjen në avion dhe mes krerëve të shteteve evropiane. Por në ditën e lindjes kreu i qeverisë është ndalur gjatë te kriza ekonomike. "Ashtu siç dihet, në Shqipëri operojnë banka që janë pjesë e bankave të mëdha dhe çdo zhvillimi pozitiv në Evropë ka, pa diskutim, efekt pozitiv në sistemin bankar shqiptar. Jam informuar, para disa ditësh, se një nga Departamentet e komisionit ka shprehur opinionin me shkrim, ku thuhet se situata në Shqipëri, por jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, nuk paraqet ndonjë rrezik të veçantë".