‘Amnistia’ në Berlinale
"Amnistia" është filmi i parë me metrazh të gjatë i Bujar Alimanit. Nga dje është filmi i parë në historinë e kinemasë shqiptare që hyn në Berlinale. Një nga tre festivalet më të rëndësishëm në Evropë, që saç e ka të gjerë gjeografinë botërore të përfaqësimit, aq e ka të ngushtë portën e hyrjes.
Më 6 janar u bë zyrtare që kjo vepër e prodhuar nga Qendra Kombëtare Kinematografike me partnere Greqinë dhe Francën, shfaqet premierë botërore në "International Forum" të Festivalit Ndërkombëtar në Berlin, Edicioni i 61-të, 10-20 Shkurt 2011. Lajmin e bën të ditur QKK e cila e quan një sukses dhe "eveniment të rëndësishëm për kinematografinë shqiptare".
Në pranverë 2010 mori mbështetjen 120 000 € nga Eurimages, i pari projekt që është mbështetur nga Fondi i Këshillit të Evropës për Kinematografinë Evropiane, sepse autori guxoi dhe konkurroi.
Më qershor u shpall fitues në QKK, edhe pse ishte rrëzuar njëherë nga një bord tjetër. Në vjeshtë nisën xhirimet me vështirësi financiare. Dhe tani premiera në Berlin.
"Amnistia" është film me buxhet të ulët dhe me staf të ri. Me përjashtim të dy aktorëve, më i vjetri i ekipit është regjisori Alimani, 41 vjeç. Zgjedhjen e të rinjve ai e ka bërë me vetëdije.
"Amnistia" është historia e një burri (Karafil Shena) dhe një gruaje (Luli Bitri) që krijojnë lidhje jashtëmartesore, ndërkohë, dy bashkëshortët e tyre të dënuar që presin të marrin amnistinë.
"Është historia e dy njerëzve që kërkojnë të moralshmen në atë që nga shoqëria quhet e pamoralshme. Janë karaktere që përpiqen të krijojnë planetin e tyre, me dashuri, erotikë, konflikte, dhimbje", ka thënë regjisori ndërsa xhironte filmin ndërmjet Tiranës dhe Pogradecit.
Njerëz që punojnë në periferi të Shqipërisë në vitet dymijë, marrëdhënie njerëzore në një kontekst social.
Berlinale Forum me traditë 49-vjeçare, është seksion ku prezantohen premiera botërore dhe evropiane, dhe që krijon mundësinë për të zbuluar një kinema krijuese, origjinale, provokative.
Me sa duket, filmi sa social aq edhe erotik, siç e ka përcaktuar zhanrin e tij regjisori që prej 14 vitesh jeton në Greqi, duhet të ketë kënaqur pretendimet e selektorëve.