E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Finalja’ e Premierligës

Tri xhiro para përfundimit të sezonit në Premierligë, gara për titull të kampionit është rihapur. Manchester United ka tri pikë epërsi ndaj Chelseas, ndërsa takohen mes vete të dielën në Old Trafford. Skuadrat kanë golaverazh të njëjtë në +38. Djajtë e Kuq synojnë të ruajnë kreun, por gjiganti londinez kërkon fitoren me të cilën do të bëhet lider. Nga Express më 03 maj 2011 në ora 09:13

Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka pranuar se Chelsea ka ‘gjasa të mëdha’ të fitojë titullin në Premierligë këtë sezon, pas humbjes së skuadrës së tij në Arsenal.

Topxhinjtë mposhtën Djajtë e Kuq falë golit në minutën e 56-të nga Aaron Ramsey, edhe pse ndeshja u karakterizua nga dy vendime kontroverse.

Nemanja Vidic preku topin me dorë në zonë duke i mohuar Robin van Persiet të godet me kokë drejt portës nga afërsia në pjesën e parë, por gjyqtari Chris Foy nuk akordoi asgjë, ndërsa ai përsëri nuk vërshëlleu kur Gael Clichy dukej se kishte fauluar Michael Owenin brenda zonës.

Chelsea shkon në Old Trafford javën e ardhshme me tri pikë më pak se skuadra e Sir Alex Fergusonit dhe skocezi pranon se kjo do të jetë përballja vendimtare për titull.

“Sigurisht, humbja jonë i dhuron Chelseas gjasa të mëdha dhe kjo është ajo çfarë ndodh kur keni vendime të tilla (të gjyqtarit). Ata kanë fituar një ndeshje në Old Trafford sezonin e kaluar dhe kjo është brengosëse. Por, sa i përket aftësitë, një ndeshje në Old Trafford, tifozët do të jenë me ne, të gatshëm sikurse edhe futbollistët tanë”, tha Ferguson për Sky Sports News.

Ndërsa mbrojtësi i majtë Patrice Evra tha: “Kemi një ndeshje të madhe kundër Chelseas. Nëse duam të fitojmë titullin, atëherë duhet t’i mposhtim, por nëse humbim, do të jemi në telashe”.

Pas 35 xhirove, Manchester United është lider me 73 pikë, i përcjellë nga Chelsea me 70, por me golaverazh të barabartë në +38. Menaxheri i Chelseas, Carlo Ancelotti, beson se ndeshja vjen në kohën më të mirë për ekipin e tij.

“Është koha më e mirë të shkojmë atje sepse gjendja jonë është e mirë si dhe vetëbesimi. Por, sigurisht se nuk do të jetë lehtë të luajmë atje. Nuk mendoj se jemi më të mirë se ata, por mendoj se jemi fuqi të njëjtë, të njëjtat aftësi. Nëse duam të fitojmë atje, duhet të kemi intensitet”, tha Ancelotti.

Ndërsa kapiteni John Terry beson se Chelsea mund të kalojë në krye të Premierligës të dielën, duke mposhtur Manchester Unitedin në Old Trafford.

“Nuk ka motivim më të madh se të shkojmë në Old Trafford dhe të fitojmë duke dërguar veten në pozitë për të mbrojtur titullin e Premierligës. Është ndjenjë që do të na udhëheqë”, tha Terry i cili theksoi se asnjëherë nuk humbi besimin në garë për titull, edhe kur skuadra londineze më 1 mars ishte 15 pikë prapa Djajve të Kuq.

“Gjithmonë kam besuar. Në fillim të sezonit kishim serinë tonë negative e më pas pa dyshim se hymë në të mirën, pasi u desh të dalim prej saj sa më parë”, përfundoi Terry.

Ndeshja në Old Trafford do të përcillet me dy xhiro tjera para përfundimit të sezonit në Premierligë, por pritet të jetë ajo përcaktuesja në garë për titull. Pas saj, Chelsea pret Newcastlen, ndërsa Manchester United është mysafir i Blackburn Rovers. Në xhiron e fundit, Manchester United është nikoqir i Blackpoolit, ndërsa Chelsea luan në udhëtim te Evertoni.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›