E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpreson në mbijetesë

Përparim Hetemaj beson në mrekulli. Edhe pse Brescia ka gjasa minimale për mbijetesë, mesfushori kosovar beson se ekipi bardh e kaltër në fund do të mbetet pjesë e elitës së futbollit italian. Nga Express më 03 maj 2011 në ora 11:47

Barazimi i së dielës ndaj Sampdorias me rezultat 3:3 ia ka shuar edhe më tej Brescias gjasat për mbijetesë. Ekipi bardh e kaltër gjendet 5 pikë larg mbijetesës, tri xhiro pa përfunduar sezoni në Serie A.

Por, përkundër këtij fakti, Përparim Hetemaj beson se ekipi ‘Rondinelle’ ka gjasa të shpëtojë. Catania, Cesena e Fiorentina - këto do të jenë tri sfidat vendimtare të Brescias deri në fund të sezonit.

“Duhet të fitojmë. Është e vështirë, por gjithmonë ekziston një mundësi e vogël. Mrekullitë kanë ndodhur më parë, mund të ndodhin edhe tash. Lufta vazhdon. Kanë mbetur edhe tri ndeshje deri në fund”, theksoi mesfushori kosovar.

Përfaqësuesi finlandez kontribuoi në dy golat e Brescias, e cila megjithatë në fund i humbi dy pikë të vlefshme. “Kundër Sampdorias ndoshta bëmë gabime të shumta në mbrojtje”, shtoi ai.

Pas 35 xhirosh të zhvilluara në Serie A, Brescia gjendet në pozitën e 19-të, të parafundit me 31 pikë, 5 më pak se Sampdoria, e cila gjendet në pjesën e ekipeve të shpëtuara.

24 vjeçari, i cili ka realizuar dy gola këtë sezon, ka qenë protagonist i Brescias këtë sezon në kampionatin italian. Për ish futbollistin e Twentes, të AEK’ut dhe të HJK Helsinkit interesim kanë shprehur Inter, Roma e Fiorentina.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›