E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkon gola të tjerë

Nga Express më 03 maj 2011 në ora 11:48

Blerim Xhemajli e ka shijuar golin e parë në fanellën e Parmës, por edhe në përvojën e tij në Serie A. Futbollisti shqiptar kontribuoi në fitoren e Parmës me rezultat 3:1 ndaj Palermos.

Ish futbollisti i Zurich, i Boltonit dhe i Torinos shpreson që kjo të jetë vetëm një nismë, pasi dëshiron të shënojë edhe gola të tjerë.

“Jam mjaft i kënaqur. Nuk e di mirë se si e kam goditur topin, por jam me të vërtetë i lumtur. E kisha edhe një rast, por do të ishte shumë po të shënoja dy herë. Pas këtij goli, shpresoj që të arrijnë edhe shumë të tjerë”, deklaroi përfaqësuesi zviceran për ueb faqen zyrtare të klubit.

Xhemajli e ka analizuar ndeshjen e së dielës, ku ekipi bardh e zi pothuajse siguroi mbijetesën. “Edhe pse nuk luajtëm si ndaj Interit e Udineses, bëmë mirë që i mbajtëm tri pikë në shtëpi. Megjithatë, ne luajtëm mirë kundër një skuadre si Palermo, që është në formë të mirë”, shtoi ai.

24 vjeçari foli edhe për kthesën e Parmës, e cila para disa javësh ishte e rrezikuar seriozisht për të rënë nga Serie A, ndërsa sot merr frymë më lirshëm.

“Pas shkarkimit të trajnerit Marino, e shikuam në sy njëri-tjetrin dhe e kuptuam se faji nuk ishte vetëm i tij. E kuptuam se ashtu nuk bënte të shkonim përpara. Gjëja më pozitive sot është se sulmojmë dhe mbrohemi si ekip. Kjo ishte arma e kthesës sonë”, përfundoi Xhemajli.

Kjo fitore e ngrit Parmën në pozitën e 13-të në Serie A me 41 pikë, 6 më shumë se zona e ekipeve të rrezikuara, kur kanë mbetur edhe 3 xhiro deri në fund të sezonit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›