Hapi i fundit
Barcelona dhe Manchester United shkojnë drejt përsëritjes së finales së vitit 2009 në Ligën e Kampionëve, pasi kanë epërsi 2-0 nga ndeshjet e para në udhëtim. Dy golat nga Lionel Messi e dërguan gjigantin katalan në epërsi gjatë vizitës në Real Madrid të martën e kaluar, ndërsa Manchester United fitoi 2-0 në udhëtim te Schalke 04.
Por, e marta sjell El Clasicon e fundit për këtë sezon, të pestin pas dy përballjeve në La Liga dhe finales në Copa del Rey. Trajneri i Realit, Jose Mourinho, do të jetë në tribuna në Nou Camp, pas përjashtimit të tij në ndeshjen e parë në Santiago Bernabeu, kur mbrojtësi Pepe u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e tensionuar në Madrid.
Vëmendja do të jetë te sjellja dhe taktika e trajnerit portugez, i cili do të përballet me armiqësi në Barcelonë pas ankesave të tij se futbollistët katalanë kanë “aktruar”, duke marrë “tretman të veçantë” nga gjyqtarët.
Pas qasjes së tij defensive në ndeshjen e parë, Mourinho do të detyrohet të jetë më aventuresk dhe mund të konsiderojë inkuadrimin e Karim Benzemas ose Emmanuel Adebayorit në përkrahje të Cristiano Ronaldos, si dhe zëvendësimin e mesfushorit Mesut Ozil me të rikuperuari Leite Kaka.
Reali mund të shpresojë në përsëritjen e fitores 2-0 në Barcelonë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve 2002, kur arritën në finale ku mposhtën Bayer Leverkusenin 2-1 në Glasgow për rekord triumfin e tyre të nëntë.
“Emrat e dy ekipeve që do të luajnë në finale ende nuk janë përcaktuar. Kurrë nuk i dihet se çka mund të ndodhë” tha kapiteni i Realit, Iker Casillas. Mbrojtësi Sergio Ramos, i suspenduar për ndeshjen e dytë së bashku me Pepen, tha: “Duhet të jemi të vetëdijshëm për vështirësitë, por nuk është e pamundur. Ekipi duhet të jep gjithçka në Barcelonë”.
Gjiganti katalan ka brenga në mbrojtje. Gabriel Milito, Eric Abidal e Adriano janë të lënduar, ndërsa Carles Puyol dhe Maxwell pritet të jenë gati.
Barcelona në fundjavë u mposht 2-1 nga Real Sociedad, njësoj sikur Real Madridi që u mund në shtëpi nga Real Zaragoza me rezultat 3-2.
“Ky do të jetë mësim për ne se asgjë nuk ka përfunduar ende. Real Madridi ka ekip shumë të mirë dhe nuk ka çka të humb, andaj duhet të jemi të kujdesshëm. Do të kemi vështirësi në lojë dhe na nevojitet përkrahja nga tifozët tanë”, deklaroi Guardiola.
Gjysmëfinale:
Barcelona-Real Madrid (2:0)
ora 20:45