E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Made in Italy’ nuk bind

Na ishin dikur sulmuesit italianë, garanci e golave dhe e suksesit. Tani kohët kanë ndryshuar. ‘Made in Italy’ ose më mirë të themi prodhimet italiane nuk bindin më. Me përjashtim të Udineses, të gjitha skuadrat e mëdha nga Serie A udhëhiqen nga sulmues të huaj. Ata pak italianë përfundojnë në bankinë ose në shitje.

Deri vonë klubet italiane u besonin sulmuesve ‘vendorë’ për të fituar tituj në Itali dhe Evropë. Kohët kanë ndryshuar, të huajt janë gjithnjë e më tepër prezent në krye të repartit ofanziv të skuadrave nga Serie A, kurse ata që konsideroheshin heronj lokalë, përfundojnë në bankinë, shkruan Calciomercato.com.

Asnjë skuadër nga mesi i atyre kryesoreve në listën e objektivave të saj për transferim gjatë këtij afati kalimtar të verës nuk ka ndonjë sulmues italian. Juventus kërkon Van Persien ose Suarezin, Milani ka Ibrahimoviçin, Interi ka transferuar Palacion, Roma e Osvaldos, Lazio mbështetet te Klose, kurse Napoli udhëhiqet nga Cavani.

Për të shpëtuar ‘nderin’ italian është vetëm Udinese, e cila sërish mbështetet te golat e Di Natale. Në mesin e futbollistëve sulmues italianë, të cilët pritet të ndërrojnë fanella gjatë këtij afati kalimtar të verës, janë: Alessandro Matri, Marco Borriello dhe Giampaolo Pazzini.

Sulmuesi i Juventusit, pavarësisht dyshifrorit të golave që realizoi në edicionin e kaluar, nuk duket se zë vend në planet e trajnerit Antonio Conte dhe spekulohet me largim nga klubi. Njësoj edhe Pazzini, i lënë jashtë projektit të Interit, gjë të cilën e pranoi publikisht para tifozëve të gjigantit milanez.

I ‘vetmuar në shtëpi’ është edhe Borriello. Mungesa e blerjes nga Juventus dhe rikthimi në Romë ka qenë një goditje e rëndë për ish sulmuesin e Milanit, i cili u tregoi tifozëve Gialloross se është vënë në shitje nga drejtuesit e klubit.

Mungesa e sulmuesve italianë në klubet e mëdha nga Serie A imponon edhe përzgjedhjet e elektorit të Azzurrëve, Cesare Prandelli. Në Euro 2012, Balotelli luante si qendërsulmues me Di Natalen si e vetmja alternativë. Nuk mbetet asgjë tjetër përveç të shpresohet te Matia Destro dhe Ciro Immobile. E kush e di, ndoshta klubet e mëdha do të fillojnë të investojnë te sulmuesit italianë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›