Xavi, njeriu i titujve

Me triumfin në Euro 2012, mesfushori Xavi Hernandez u bë futbollisti më i trofeshëm spanjoll, duke tejkaluar legjendën Paco Gento dhe bashkëlojtarin e tij nga Barcelona, Andres Iniesta. Ish ylli i Real Madridit, Gento e mbajti rekordin për 41 vjet, por plejmejkeri i gjigantit katalan tani e ka kaluar atë me 23 tituj.
Në moshën 32 vjeç, Xavi vazhdon të jetë i uritur për tituj për sezonin e ardhshëm nën drejtimin e trajnerit të ri të Barcelonës, Tito Villanova. Xavi ka fituar 8 tituj të ndryshëm: 6 në La Liga, 3 Liga të Kampionëve, 2 Kupa të Spanjës, 2 Superkupa të Spanjës, 5 Superkupa të Evropës dhe dy kampionate botërore të klubeve, të gjitha me Barcelonën.
Kurse me Spanjën ai ka hyrë në histori duke u bërë fitues në tri gara të njëpasnjëshme ndërkombëtare: Euro 2008, Kampionati Botëror 2010 dhe Euro 2012. Totali prej 23 titujve konfirmon statusin e tij si një prej futbollistëve legjendar.
Shifra bëhet edhe më e mahnitshme duke llogaritur se në shtatë vite të tij të para në klub, Xavi fitoi vetëm dy tituj dhe u desh të priste deri më 2003, kur Frank Rijkaard u emërua në krye të Barcelonës, për të filluar koleksionimin e medaljeve të fituesit.
Xavi ishte element kyç i skuadrës dominuese të Pep Guardiolas, e cila në katër vitet e fundit fitoi 14 nga 19 titujt e mundshëm, duke siguruar vendin e tij si njëri prej futbollistëve më të suksesshëm spanjoll i të gjitha kohërave. Një tjetër rekord i arritur së fundmi nga Xavi ishte gjatë Euro 2012, kur theu rekord për numrin e pasimeve në një ndeshje të Kampionatit Evropian.
Kujtojmë, Spanja mposhti Republikën e Irlandës 4:0 në kuadër të xhiros së dytë të Grupit C dhe një prej më meritorëve ishte ylli i Barcelonës, Xavi Hernandez i cili dominoi në organizimin e lojës.
Kundër irlandezëve, Xavi bëri 136 pasime, 117 të saktë me përqindje 93.4 %.Me këtë ai theu rekordin e ish reprezentuesit holandez Ronald Koeman, i cili në ndeshjen kundër Danimarkës më 1992 kishte bërë 117 pasime.