E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Syri i ligë’ në Ligue 1

Në kampionatin francez ekziston një fenomen kurioz. Në Ligue 1, futbollistët afrikanë kërkojnë leje që të rikthehen në atdhe për t’u kuruar nga ‘syri i ligë’, të cilin e fajësojnë shpesh për lëndimet e tyre ose për rënien e formës. Nga Express më 20 janar 2011 në ora 11:11

Është transferi i vitit. Ka kushtuar zero euro, shënon dhe shkëlqen, duke e shfaqur potencialin dhe kualitetin e tij teknik në ekipin francez Lille. Një mrekulli e vogël, duke e pasur parasysh se është 18 vjeç.

Moussa Sow, 15 gola të realizuara dhe golashënuesi më i mirë i Ligue 1 (kampionatit francez), po e shijon momentin larg nga ‘syri i ligë’, që shpesh influencon karrierën e futbollistëve të kampionatit francez.

Mirëpo, Sow ka përjetuar një periudhë të vështirë, pasi që rrezikonte paralizimin. Familja e tij dyshon se djali i tyre i vogël është prekur nga ‘syri i ligë’.

“Një ditë, Moussa nuk mund të ngritej në këmbë. Ai e kishte humbur fuqinë në këmbët e tij. Ishim të pashpresë sepse mjekët nuk arrinin ta kuptonin se për çka bëhej fjalë. Ai kishte mbetur i bllokuar për së paku dy javë, më pas vetvetiu kishte filluar të ecte”, rrëfen vëllai dhe njëkohësisht menaxheri i futbollistit, Abdoulaye.

Por, ky fakt nuk e kishte penguar futbollistin që të shkëlqejë, së pari në Rennes e më pas në Lille. Futbollisti me prejardhje senegaleze ëndërron që me golat e tij ta ndihmojë ekipin francez ta fitojë kampionatin këtë sezon. Ai ka realizuar dy tregolësha dhe një dygolësh në fytyrën e ‘syrit të ligë’, të cilit aq shumë i frikësohen futbollistët afrikanë.

Me syrin e keq kishte problem edhe futbollisti i Marseilles, Stephane Mbia. Në muajin gusht, kamerunasi nuk ia dilte që të shërohej nga lëndimi i njërit gju, i cili vlerësohej si i çuditshëm nga stafi mjekësor i klubit. Futbollisti ishte i bindur se ishte viktimë i ‘syrit të ligë’. Ai kishte kërkuar që të rikthehej në shtëpi e ta konsultonte një shërues të këtyre rasteve.

Trajneri Didier Deschamps e kishte autorizuar të shkonte në atdhe dhe pas disa ditësh, Mbia ishte rikthyer i buzëqeshur dhe sërish në formë.

Por, prapa kësaj spekulohet se kishte një mendim diplomatik për t’i bërë presion zyrtarëve të klubit për t’ia rritur rrogën vjetore, duke pasur parasysh se edhe në ditët e fundit futbollisti ka mbetur jashtë skuadrës për shkak të dhimbjeve në gju, të cilat pas kontrollit të mjekëve janë konsideruar si jonormale. Këtë herë, Mbia nuk ka kërkuar ende që të kthehet në Kamerun për ta hequr ‘syrin e ligë’.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›